Sport Klose i habitur: Do të vija bast gjithçka që Strakosha nuk do...

Klose i habitur: Do të vija bast gjithçka që Strakosha nuk do të bëhej titullar

Miroslav Klose e ka provuar edhe Serie A, pasi është aktivizuar me skuadrën e Lazios. Sulmuesi gjerman u kthye në një nga më të dashurit për tifozët dhe normalisht vazhdon ta ndjekë skuadrën laciale.

Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ai ka vlerësuar punën e mirë të Simone Inzaghi dhe ka zbuluar se është i habitur nga ajo që ka bërë Thomas Strakosha. “Inzaghi është duke bërë një punë të mirë, por surpriza e vërtetë është Thomas Strakosha. Kur luaja unë me Lazion, ishte portier i tretë. Do të vija bast gjithçka mbi faktin që nuk do të bëhej portieri titullar. Nuk të jepte siguri”, u shpreh Klose.

“Por, rritja e tij tregon që duhet t’i japësh hapësirë të rinjve dhe t’i japësh kohë që të rriten”, shtoi ish-sulmuesi.

Klose më pas ka folur edhe për mikun e tij, Franck Ribery, i cili po luan në Serie A me Fiorentinën. Ish-sulmuesi prek pak edhe Milanin e Interin. “Riberi është i jashtëzakonshëm, në Firence do të argëtohen me të. Tek Interi shikohet dora e trajnerit Antonio Conte dhe lojtari që më ka befasuar është Sensi. Sa i takon trajnerit të ri të Milanit, mendoj se Stefano Pioli është i duhuri për ta”, ka deklaruar Klose.