Aktualitet Shqipëria ekstradon në Greqi ukrainasin, vrau me shufër hekuri një person në...

Shqipëria ekstradon në Greqi ukrainasin, vrau me shufër hekuri një person në Athinë

Sheshi “Exharcia”, Athinë

Një ukrainas është ekstraduar drejt Greqisë, i kërkuar nga drejtësia greke, pasi dyshohet se është autori i një vrasjeje në shtetin fqinj.

28-vjeçari me inicialet M.Y. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore greke më datë 29.10.2018, kanë lëshuar urdhër-arresti  ndaj këtij shtetasi i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, të parashikuara nga Kodi Penal grek.

Sipas Policisë shqiptare, “Më datë 25.04.2018, rreth orës 22:15,  në sheshin “Exharcia”, Athinë, dyshohet se shtetasi ukrainas M.  Y. në bashkëpunim me një shtetas tjetër  ka sulmuar një shtetas  me një shufër hekuri dhe më pas e ka goditur 6 herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen”.

Shtetasi ukrainas është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe në momentin e kapjes ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë por është neutralizuar dhe prangosur. Ai udhëtonte në drejtim të Greqisë  me kartë identiteti, pasaportë dhe patentë, të falsifikuara.