Një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë.
Drejtori i Policisë, Ardi Veliu, tha celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.
Po çfarë janë Forcat QUDS që sipas autoriteteve shqiptare menaxhojnë në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore?
Forca Quds, janë një njësi brenda Gardës Revolucionare Iraniane, e cila ka për mision të kryejë aktivitete spiunazhi dhe luftarake të fshehta dhe është përgjegjëse për operacionet e kryera nga Irani jashtë territorit të vet.
Komandanti i saj është Gjeneral Major Qasem Soleimani. Organizata është shpallur si terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2007, duke i ndaluar çdo shtetasi amerikan të ketë kontakte me këtë organizatë. Këtë vit, SHBA vendosi të fusë në listën e organizatave terroriste edhe Gardën Revolucionare Iraniane.
Sipas inteligjencës perëndimore, Forcat QUDS mbështesin aktorë “jo zyrtarë” aleatë të Iranit, si Hezbollah, Hamas dhe Xhihadistët Islamikë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, por edhe rebelët Huthi në Jemen dhe militantë të tjerë shiit në Irak, Siri dhe Afganistan.
Analistët e shërbimeve perëndimore nuk kanë dalë në një përfundim të madhësisë së saktë të Forcave Quds, por mendohet se numri i tyre shkon deri në 20 mijë. Komandanti i Forcave QUDS raporton vetëm te Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei.
Forcat QUDS janë krijuar gjatë luftës Iran-Irak, duke i ofruar fillimisht mbështetje kurdëve që luftonin kundër Saddam Hussein-it. Më pas nisën të zgjeronin aktivitetin e tyre edhe në vendet fqinje si Afganistani dhe dhjetëra vende të tjera.
Kush është Qasim Suleimani
Qasim Suleimani është 61 vjeç, babai i pesë fëmijëve.
Ai filloi të punonte në ndërtim që në moshën 13=vjeçare për të ndihmuar familjen e tij në Iranin jugor.
Revolucioni islamik i vitit 1979 në Iran e gjeti atë 22 vjeç. Me zellin e moshës dhe bindjet e tij, ai iu bashkua Gardës Revolucionare që u ngrit për të mbrojtur revolucionin e ajatollahëve.
Ai mori drejtimin e Gardës Revolucionare në fund të luftës Iran-Irak në vitin 1988 para se të bëhej drejtuesi i Forcave Speciale të saj, pikërisht ato “Kuds”.
I përkushtuar tërësisht për mbrojtjen e Republikës Islamike, ai është cilësuar si një “martir i gjallë” në vitin 2005 nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Suleimaini është akuzuar nga SHBA-të në vitin 2008 se ishte personi përgjegjës për trajnimin dhe armatosjen e militantëve shiit në Lindjen e Mesme kundër forcave amerikane në Irak.
“Ai mbështet lëvizjen palestineze Hamas si edhe ka armatosur lëvizjet shiite në gadishullin arabik. Soleimani ka lidhje edhe në Turqi dhe e gjitha kjo ka tërbuar monarkitë arabe në Gjirin Persik. Qaseeim Suleimani imponon vullnetin e Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme”, shkruante “The World” në vitin 2017 për të.
“E njeh Sirinë si xhepin e tij dhe ka një njohuri shumë të mirë për Irakun”, tha një burim diplomatik për AFP disa vjet më parë.
Për më tepër, “ai është jashtëzakonisht i respektuar nga njerëzit e tij falë karrierës dhe karizmës së tij”, vijon AFP.