Mo Robinson është shoferi 25-vjeçar, në brendësi të kamionit të të cilit u gjetën 39 trupa të pajetë. Mediat britanike kanë publikuar foton e të riut, i cili është arrestuar si i dyshuar për vrasje.
Ai është nga Irlanda Veriore, ndërsa postimet e tij në rrjetet sociale tregojnë se i riu bën udhëtime të shpeshta në Suedi dhe Danimarkë. Robinson nuk ka në pronësi asnjë kamion, por është i regjistruar si punonjës në një kompani irlandeze në qytetin portual të Varna në Bullgari. Kamioni ishte i parkuar pranë një magazine në zonën industriale të Essex në Britani të Madhe.
Dyshohet se 39 viktimat, në mesin e të cilëve edhe një adoleshent, janë emigrantë. Autoritetet britanike janë duke punuar për të identifikuar viktimat dhe origjinën e tyre. Hetuesit besojnë se kamioni ishte nisur nga Bullgaria. Më pas ka shkuar në Belgjikë dhe prej andej ka mbërritur në portin e Purfleet, Essex.
Zbulimi i 39 trupave të pajetë në kamion konsiderohet si një nga ngjarjet më tragjike në Britaninë e Madhe. Autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë dhe janë fokusuar kryesisht në pistën e trafikimit të qenieve njerëzore.