Sport Spektakël në “Olimpico”, feston Roma, Napoli zbret në klasifikim  

Spektakël në “Olimpico”, feston Roma, Napoli zbret në klasifikim  

Spektakël në “Olimpico” në sfidën më tërheqëse të javës së 11-të të Serisë A, të cilën Roma e fitoi 2-1 ndaj Napolit, duke humbur madje edhe një 11-metërsh. Një goditje e rëndë për skuadrën e Ancelottit, që i largohet edhe më shumë kreut, ndërsa verdhekuqtë, me këtë sukses, që ishte i treti radhazi në kampionat, ngjitet të paktën përkohësisht në vendin e tretë, me 4 pikë më shumë se Napoli.

Pjesa e parë ishte vërtet spektatolare, me të dyja skuadrat që synonin të gjenin sa më parë golin, por Roma ishte më e qartë në veprimet sulmuese derisa në minutën e 19-të talenti verdhekuq, Zaniolo, me një lëvizje të bukur në hyrje të zonës, pas asistimit të Spinazzolas, e dërgoi topin në rrjetë, 1-0.

Pak çaste më vonë (23’) portieri i Napolit, Meret, i mohoi golin Kolarovit.

Dominimi në lojë i Romës u reflektua me penallti për skuadrën e Fonsecas në minutën e 25-të, pasi gjyqtarit Gianluca Rocchit i erdhi në ndihmë VAR-i. Gjithsesi, nga pika e bardhë gaboi Kolarov, me Meret që i kuptoi krahun.

I pafat Napoli në fund të pjesës së parë me dy raste të njëpasnjëshme “41’) me protagonistë Arkadiusz Milik dhe Giovani di Lorenzo, që u ndalën nga traversa dhe shtylla, ndërsa pak para se kryesori të çonte skuadra në dhomat e zhveshjes Dries Mertens goditi paksa mbi tra.

Tjetër 11-metërsh për Romën në minutën e 55-të, pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Mario Rui. Këtë radhë Meret nuk mundi ta ndalte goditjen e Veretout, 2-0 për Romën.

Sigurisht që Napoli nuk mund të pajtohej më këtë rezultat, ndaj u hodh në sulm për t’u kthyer në lojë. Presioni i vazhdueshëm i napolitanëve u shpërblye me golin e Milik në minutën e 72-të, i shërbyer në mënyrë perfekte nga Lozano, 2-1.

Pas këtij goli sfida u ndez edhe më shumë, me raste nga të dyja portat, siç ishte ai i minutës së 83-të, kur Dzeko e dërgoi me kokë topin në rrjetë, por në pozicion jashtë loje.

Miqtë humbën edhe rastin e fundit të artë në minutën e 7-të shtesë, me Milik, nga goditja e lirë, e fituar pas ndërhyrjes së Cetin, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.