Manovrat e saj duken ato të një motoskafi gjigant, por në të vërtetë kemi të bëjmë me diçka tërësisht ndryshe. USS Gerald Ford është aeroplanmbajtësja më e re e flotës detare amerikane, dhe padyshim një nga mjetet e saj më të rëndësishme për të treguar superioritetin në ujërat e globit.
Për ta ndërtuar janë nevojitur rreth 12 vjet dhe 43 miliardë dollarë, por tashmë anija që peshon 100 mijë tonelata dhe ka një gjatësi 337 metrash, është gatshme për misionet e caktuara nga Pentagoni.
Dimensionet e saj mund të përballohen vetëm nga dy reaktorë bërthamorë, që e bëjnë të lundrojë me shpejtësi relativisht të mahnitshme (deri në 60 km në orë), dhe mund të mbajë 90 aeroplanë luftarakë si dhe një ekuipazh që i afrohet 5 mijë ushtarakëve.