Maxhoranca dhe opozita e re bashkuan votat sot në Parlament për të zgjedhur anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji janë votuar në Kuvend me shumicë votash si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Nga 115 deputetë të pranishëm, 105 u shprehën pro plotësimit të vakancave nga Toska e Papajorgji. Me 105 vota pro dhe dy kundër, asnjë abstenim Kuvendi votoi Elsa Toskën. Ndërkohë po me 105 vota pro dhe 3 kundër Kuvendi votoi edhe Fjona Papajorgjin.
Në këtë mënyrë, nga sot Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji janë dy anëtaret më të reja të Kushtetueses duke e çuar në 5 numrin e anëtarëve, të dyja morën nga 105 vota, duke bërë që PS të tejkalonte grupin e saj parlamentar në favor të këtyre votave
Kushtetueshmëria e këtij procesi u diskutua më herët në këshillin e legjislacionit pasi siç sqaroi kryeparlamentari Gramoz Ruçi, në kuvend nuk mund të diskutohet rreth kandidaturave por vetëm votohet.
Nga sot Gjykata Kushtetuese ka në përbërjen e saj 5 anëtarë: Vitore Tusha, e cila kaloi Vettingun, Besnik Muçi i dekretuar nga Presidenti, Arta Vorpsi që hyri automatikisht si kandidatja me më shumë pikë dhe Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji të votuara nga Kuvendi.
Priten të emërohen edhe 4 anëtarë të tjerë, dy nga presidenti dhe Kuvendi dhe dy nga Gjykata e Lartë, pasi kjo e fundit të jetë funksionale.