Nga Nagasaki i Japonisë, një prej dy qyteteve të sulmuar nga bombat atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Papa Françesku drejtoi thirrjen e tij për ndaljen e aktivitetit bërthamor në botë.
“Këtu, në vendin që dëshmoi pasojat katastrofike në njerëz dhe mjedis, të një sulmi bërthamor, përpjekja jonë për të dënuar me fjalë aktivitetin nuklear nuk mjafton”, tha Papa.
27 mijë persona humbën jetën nga shpërthimi i bombës atomike që hodhi Amerika në Japoni çka shënoi edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.
“Mos ta harrojmë kurrë sakrificën heroike. Të mos kthehemi në një relike të së shkuarës që ruhet dhe nderohet në muze, por të bëhemi frymëzim i punës apostolike dhe të shpërndajmë lajmin e mirë ngado”, shtoi Ati i Shenjtë.
Papa vizitoi monumentin e “Martirëve të krishtërimit” dhe e pasoi aktivitetin e tij me një meshë në stadiumin e Nagasakit, me pjesëmarrjen e 30 mijë personave.
“Nagasaki fsheh në shpirtin e tij një plagë që dhemb përherë. Një vragë e shkaktuar nga vuajtjet e vazhdueshme prej humbjes së jetëve të mijëra viktimave të pafajshme të luftërave të shkuara dhe atyre aktuale me një Luftë të Tretë Botërore që po zhvillohet ngadalë. Le të ngremë zërin për ata që edhe sot po vuajnë pasojat e së shkuares nga ky mëkat i tmerrshëm”, iu drejtua kreu i Kishës të pranishmëve.
Vizita e Papës në Japoni mbyllet në Hiroshimë dhe sikurse e kishte njoftuar më parë edhe qëllimi i kësaj vizite njëjavore në Azi lidhet me thirrjen kundër aktivitetit bërthamor që Ati i Shenjtë zgjodhi ta përcjellë nga dy qytetet e vetme në botë që mund të dëshmojnë pasojat e tij.