Kjo është Manjola, mamaja e Alesios, djalit të vogël i cili për ti shpëtuar tërmetit u hodh nga kati i 5-të i pallatit.
Familja ka humbur babain dhe motrën. Ndërkohë Manjola vijon të jetë në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Për fat të mirë Manjola po përmirësohet nga dita në ditë, me shpresën që të gjejë forcën të kapërcejë humbjen e madhe! Po kujdesemi për mamin e Alesios së vogël që shpëtoi për mrekulli nga tragjedia e Thumanës, që të jetë sa më shpejt me djalin e saj dhe të ringrihen më të fortë” shkruan ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një postim në facebook
Qeveria brenda 15 dhjetorit do të vërë në dispozicion të familjeve që kanë humbur të afërmit apartamente.
Alesio me mamanë e tij do të kenë dhe ata apartamentin e tyre në Tiranë
“Duhet gjetur dhe mënyra si duhet të kujdesemi për njërin prej tyre që ka nënën në spital dhe ka humbur të tjerët. Do i japim shtëpinë, do i vëmë një kujdestare. Daja jeton në Angli, ka ardhur përkohësisht. Shtëpia do jetë në emrin e tij, ai është i zoti i shtëpisë”, tha kryeministri në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Ndërkohë Alesio u bë pjesë e surprizës që kryeministri i bëri atij dhe Aurelit për të takuar dy futbollistët e Juventusit, Gianluigi Buffon dhe Cristiano Ronaldo.