Aktualitet “43% e të rinjve duan të ikin”/ Studimi: Frikë nga papunësia, varfëria...

“43% e të rinjve duan të ikin”/ Studimi: Frikë nga papunësia, varfëria dhe korrupsioni

43% e të rinjve shqiptarë kanë dëshirë të fortë për t’u larguar nga Shqipëria”. Ky është një prej përfundimeve të “Studimit Rinor 2018-2019”, realizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, i cili bazohet në një sondazh kombëtar me 1200 të anketuar, të moshës 14-29 vjeç.

Sipas të njëjtit studim, papunësia, varfëria dhe korrupsioni trembin më shumë të rinjtë shqiptarë, por ata shprehen se janë të papërfaqësuar në politikë, çka tregon se këto problematika nuk adresohen.

Të rinjtë u pyetën edhe për perceptimin e tyre mbi arsimin, ndërkohë që të dhënat treguan se 54% e tyre pohuan se shit-blerja e notës është një fenomen që ekziston, ndërkohë që 63% e të anketuarve mendojnë se arsimimi është i keqpërshtatur me tregun e punës.

Sondazhi flet edhe për një dëshirë shumë të madhe të të rinjve për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por të dhënat treguan se ata nuk kanë informacion të saktë mbi këtë proces. Ndërkohë që, sa i takon disa prej proceseve reformuese sikurse është reforma në drejtësi, 38% e të anketuarve besojnë te vettingu, por pjesa më e madhe e të anketuarve s’kanë besim te ndëshkueshmëria, raporton Scan.