Anëtari i pezulluar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj deklaroi nga foltorja e Parlamentit se kryeministri Edi Rama “e ka goditur shumë herë pas shpine, por asnjëherë nuk arriti të fitojë moralisht”.
“Ju, zoti kryeministër, po rrezikoni të mbeteni kryeministri më i dështuar në historinë e shtetit shqiptar. Kjo të bën xheloz dhe të pashpirt për të goditur mbrapa shpine. Ju kërkova me letër që në 23 korrik 2019 të më thërrisnit në mbledhjen e qeverisë dhe të më dëgjonit ballë për ballë. Më keni goditur shpesh mbrapa shpine, por asnjëherë nuk ke dalë moralisht i fituar. I kam fituar përherë sfidat me ju. Dështimi juaj vjen nga rruga dhe aleatët që i përzgjodhët vetë. Ne që në fillim përzgjodhëm dy rrugë qartësisht të ndryshme. Në vitin 2001 kundërshtova kandidaturën tuaj për kryetar bashkie, gjë që ju nuk e harruat kurrë sepse kisha bindjen se nuk keni qelizë shtetformuese në vetëdijen tuaj. Në 2005 Nano më kërkoi të kandidoja për drejtimin e PS sepse do kisha mbështetjen e tij, por nuk e pranova këtë ofertë”, tha Malaj.
Ai shtoi se epoka drejtuese e Ramës po përfundon me dështim: “Duke shfrytëzuar gjithçka negative arritët të bëheshit kryetari i rilindjes në PS dhe kryeministër i Shqipërisë. Por, siç thotë Ezopi, krushqia me njerëzit e ligj përfundon gjithmonë keq, siç është duke përfunduar në mënyrë dështuese epoka juaj e drejtimit të Rilindjes dhe Shqipërisë. E majta ka shumë personalitete që mund ta qeverisin Shqipërinë shumë më mirë sesa ju, por dehja nga pushteti abuziv ju mban të lidhur siç mban droga të droguarit. Në jetë janë disa gjëra që nuk janë për shitje, integritetin tim nuk e kam ofruar për shitje”.