Valuta që përdoret aktualisht në Kosovë është Euroja. Kjo monedhë në Kosovë ka arritur në dhjetor të vitit 2001. Para se kjo monedhë të vinte në Kosovë, në qarkullim ka qenë valuta tjetër Marka, e cila kishte hyrë në tregun e Kosovës gjatë vitit 1999. E tash në Kosovë mund të ketë përsëri ndryshime në valutë. Albin Kurti po premton se valutë të Kosovës do të bëhet Leku i Shqipërisë.
Lideri i Vetëvendosje Albin Kurti, shumë shpejt do të merr postin e shefit të Qeverisë së Kosovës. E me ardhjen e tij në krye të shtetit, duket se do të ketë ndryshime të mëdha në Kosovë.
Ndryshim po pritet të ketë edhe në paranë që përdorin aktualisht qytetarët e Kosovës.
Kurti po pretendon se me ardhjen e tij në pushtet Kosova do të heq dorë nga Euroja dhe si valutë të përdoret Leku i Shqipërisë.
Albin Kurti që drejton aktualisht Vetëvendosjen, parti kjo që ka dalë fituese në zgjedhjet e tetorit, ditë më parë në një deklaratë publike ka thënë se nëse ai vjen në pushtet e ka synim që ta bëjë Lekun valutë të Kosovës, si Shqipëria.
Kurti megjithatë dukej skeptik gjatë dhënies së përgjigjes për këtë pyetje. Ai deklaroi se megjithëse e kishin synim dhe dëshirë, “nuk mund të thuhej se një gjë e tillë ishte prioritet”.
Por, Vetëvendosje edhe në programin e vet kishte shprehur synimin që ta zëvendësonte Euron me Lekun si valutë zyrtare të Republikës së Kosovës.
Për Lekun, Albin Kurti kishte folur edhe gjatë kohës sa ushtronte postin e deputetit, ku kishte thënë se ndoshta Kosova do të ishte më mirë ta përdor si monedhë shtetërore Lekun, sesa Euron që e përdor tani.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian mundet të na e pezullojë në çdo moment të drejtën për ta përdorur euron. Sigurisht se kjo është një hipotezë pak e mundshme, por duhet ta kemi në mendje, sepse nuk kemi asnjë zotërim mbi këtë monedhë… Ndoshta do të ishte më e matur, më e sigurt, ta përdorim Lekun shqiptar”, kishte thënë Kurti në një intervistë për portalin francez, Politique-Internationnale.
Por, idenë e Kurtit për Lekun nuk është që e kanë diskutuar konkretisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës, më të cilin po negociohet edhe formimi i Qeverisë së Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ditë më parë në një prononcim publik ka folur për idenë e Kurtit për brejën e Lekut valutë të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk mund të bëhet asgjë jashtë asaj se çfarë thuhet në Kushtetutë.
“Nuk kemi folur konkretisht për këtë pikë. Kemi folur që marrëveshja jonë me VV të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Pra, ne nisemi nga ajo që lejon kjo kushtetutë. Nuk mund të ketë valutë tjetër në Kosovë, sepse këtë nuk e lejon Kushtetuta. Ne kemi valutën e euro në Kosova dhe besoj që nuk do të ketë ndonjë dobi nëse behën dyshime”, ka thënë ai.
Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje fare. Në pyetjet e dërguar në këtë institucion nuk ka pranuar të përgjigjet askush.
E në faqen zyrtare të saj tregohet se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për sigurimin e një furnizimi të duhur të Kosovës me kartëmonedha dhe monedha euro, për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme në ekonomi.
“Meqë euroja është valuta kryesore e lejuar për përdorim në Kosovë, përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me operacionet dhe menaxhimin e parave të gatshme kanë të bëjnë me euron”.
Në BQK tregohet se kontingjenti i parë me euro (rreth 100 miliona Euro) u soll në Kosovë në dhjetor të vitit 2001. Gjatë periudhës dhjetor 2001 – janar/shkurt 2002 janë eksportuar gjithsej mbi 1 miliard Marka gjermane, ndërsa janë importuar mbi 350 miliona Euro. Njëkohësisht, janë riatdhesuar afër 10 miliona monedha të Markës gjermane, ndërsa janë importuar rreth 7 miliona Euro monedha që në aspektin logjistik reflektonte një operacion transporti të monedhës në peshë mbi 100 tonelata.
/Fatos Shala për Monitor.al