Popullsia në botë gjatë vitit që po përfundon është rritur me 83 milionë njerëz – kjo i përgjigjet numrit të popullsisë në Gjermani. Çdo sekondë lindin 2,6 njerëz. Me ritme të larta shtohet popullsia në Afrikë.
Natën e vitit të ri sipas parashikimeve në botë do të ketë përafërsisht 7.754.847.000 njerëz. Këta janë 83 milionë më shumë se një vit më parë, vuri në dukje Fondacioni Gjerman për Popullsinë Botërore në Hanover. Sipas këtij fondacioni çdo sekondë Tokës i shtohen 2,6 banorë. Kjo shifër del nga raporti i lindjeve dhe vdekjeve gjatë së njëjtës periudhë. Parashikohet që në vitin 2023 popullsia në botë do të jetë 8 miliardë.
Rritjen më të madhe të popullsisë e ka Afrika. Deri në vitin 2050, sipas parashikimeve numri i banorëve të këtij kontinenti do të jetë 2,5 miliardë nga rreth 1,3 miliardë që ka aktualisht. Pra do të ketë dyfishim të popullsisë. Gratë në Afrikë lindin ndërkohë mesatarisht 4,4 fëmijë, më shumë se mesatarja botërore me 2,4 fëmijë për grua.
Bazuar në zhvillimin aktual të popullsisë në vitin 2100 në Afrikë do të ketë rreth 4,3 miliardë njerëz. Shkaku kryesor për rritjen e popullsisë në vendet jugore të Saharasë, është shtatëzania e padëshiruar tek gratë, sepse ato nuk janë në gjendje të mbrohen, shpjegon fondacioni.
Fondacioni bën thirrje për kontraceptivë
Fondacioni bën thirrje për forcimin e të drejtave të grave, fushatat sensibilizuese dhe garantimin e kujdesit shëndetësor, aksesin tek mjetet moderne kontraceptive. Këto objektiva duhet të vihen në fokus të bashkëpunimit për zhvillimin. “Nëse gruaja mund të vendos me vullnet të lirë nëse dhe kur do të lindë fëmijë, popullsia në Afrikë në jugun e Saharasë deri në fund të këtij shekulli do të ishte 30 përqind më pak, nga parashikimet aktuale”, tha drejtorja ekzekutive e fondacionit Renate Bähr.
Se si është e shpërndarë popullsia në kontinente, fondacioni e shpjegon përmes një modeli: Nëse bota sot do të ishte nëj fshat me 100 banorë, 59 syresh do të vinin nga Azia, 17 nga Afrika, dhjetë nga Europa, tetë nga Amerika Latine, pesë nga Amerika e Veriut dhe një nga Oqeania. Në vitin 2050 ky fshat do të kishte gjithsej 128 banorë.