Në ditën e parë si kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në zyrë ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. Megjithatë, më shumë vëmendje se takimi mori vëmendje një fakt tjetër. Në zyrën e kryeparlamentares së re mungonte portreti i presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Në vend të saj ishte vendosur portreti i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Vetë Osmani në lidhje me këtë ka sqaruar se fotoja e Thaçit, nuk është hequr, por thjesht është zhvendosur, një lëvizje kjo brenda hapësirës që përcakton ligji.
“Natyrisht që ka arsye. Unë e njoh ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin, fotografia e presidentit është në Kuvend. Unë kam dashur që në ballë të zyrës të kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të vendoset fotografia e presidentit”, tha Osmani.
Por nuk ka vonuar një reagim nga Presidenca e Kosovës. Sipas kësaj të fundit, nëse fotoja është hequr, atë herë kjo është shkelje e ligjit.
“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për protokollin e shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej t’ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit. Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Për zhvendosjen e fotos ka reaguar me nota të ashpra edhe PDK, partia tashmë në opozitë, nga e cila vjen Thaçi. Në reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës, veprimi i Osmanit konsiderohet primitiv dhe i nxitur nga interesa partiake.
“Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve. Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo t’i shërbej institucionit ku është zgjedhur. Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë”, thuhet tutje në reagim.
Rasti të kujton një të ngjashëm në Shqipëri në vitin 2013. Kur kryeministri Rama mori detyrën, në të gjitha zyrat e institucioneve shtetërore, fotografia e presidentit të republikës, në atë kohë Bujar Nishani, u zëvendësua me foton e kryeministrit të parë të Shqipërisë, Ismail Qemali.