Politika A do ta japë dorëheqjen nëse Venecia thotë se shkeli Kushtetutën? Meta:...

A do ta japë dorëheqjen nëse Venecia thotë se shkeli Kushtetutën? Meta: Kur të bindem vetë

Duke folur për raportin paraprak të Komisionit të Venecias, sipas të cilit Presidenti i tejkaloi kompetencat kur vendosi të shtyjë datën e zgjedhjeve, Ilir Meta tha se në Kushtetutën e Shqipërisë nuk ekziston fjala tejkalim, por vetëm fjalë shkelje.

Dhe i pyetur a do të jepte dorëheqjen, nëse Venecia thotë se ka shkelur Kushtetutën, Meta tha: “Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë, dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë”.

Gazetari: Sipas Venecias i keni tejkaluar kompetencat zoti President…

Presidenti Meta: Nuk ekziston fjala tejkalim more zotëri kush e thotë këtë?

Gazetari: Venecia e ka thënë. Ju vetë keni thënë që keni respekt për Venecian…

Presidenti Meta: Zotëri, nuk ekziston fjala tejkalim. Fjala “exceeding” ka 700 kuptime, nuk ka asnjë fjalë tejkalim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka fjalë shkelje, “violation”, apo “serious violation”.

Gazetari: Nëse Venecia thotë se ka qenë vërtetë “violation”, çfarë do bëni do jepni dorëheqjen nga President i Republikës?

Presidenti Meta: Ore, zotëri në qoftë se çmendet Venecia, nuk kam ndërmend…! Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë, dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë. Respekti, ruhet gjithmonë. Në qoftë se Venecia vendos të çmendet, le të çmendet Venecia, unë nuk do çmenden të lë Shqipërinë në kaos.

Gazetari: Po nëse thuhet që ju keni bërë gabim që keni firmosur….

Presidenti Meta: Venecia të më thotë nenin që kam shkelur unë. Të më thotë a ka institucion tjetër në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që mund të caktojë datën e zgjedhjeve? Kaq! Dhe e dyta, a ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar vendimin apo dekretin e Presidentit për 30 qershorin? Këto të dyja. Kaq! Këtu mbaron gjithë historia.

Gazetari: Por gjithsesi kemi marrë arbitër dhe ju e pranuat në fillim…

Presidenti Meta: E ka marrë Ulësi, po për aq kohë sa ata do jenë serioz do i pranoj. Nesër lexoni pyetjet e mia. Unë Kushtetutën e lexoj vetë, i kam sytë në ballë. Në qoftë se do të marrë një Kushtetutë këtu dhe më trego se kë nen të Kushtetutës kam shkelur.