Kryesore A do të jetë Meta, negociator mes Ramës e Bashës?

A do të jetë Meta, negociator mes Ramës e Bashës?

Teksa Lulzim Basha i mbylli derën mundësisë së dialogut me Edi Ramën a është i gatshëm Presidenti Ilir Meta t’i bëjë bashkë kreun e demokratëve dhe kryeministrin në një tryezë, me qëllim kapërcimin e ngërçit politik që është futur vendi pas djegies së mandateve nga opozita?

I pyetur në Lezhë nëse do të ndërmerrte rolin e një negociatori në bisedime, kreu i shtetit dha një përgjigje diplomatike duke i ftuar palët të reflektojnë e të bashkëpunojnë për hir të negociatave me Bashkimin Europian.

“Besoj mesazhi i 2 Marsit është më se aktual: Duhet të punojmë për bashkim dhe bashkëpunim, jo vetëm çdo 2 Mars e 28 Nëntor, por çdo ditë, në mënyrë që ta fitojmë mundësinë për çeljen e negociatave në qershor, bashkë edhe me Maqedoninë e Veriut. I vetmi apel është për bashkëpunim, për bashkim, për reflektim për të parë më larg”, tha Meta.

Gjatë fjalës që mbajti në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, Meta bëri apel për tu ngritur mbi interesat e ngushta.

“Uroj, shpresoj dhe besoj se ky Kuvend i Lezhës, për mesazhin që na sjell nga thellësia e historisë të na ndihmojë edhe ne të gjithëve për t’u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta e për t’i thënë një ‘Po’ të fortë rrugës europiane të Shqipërisë, bashkë me Maqedoninë e Veriut në qershorin që po vjen.”

Sipas Metës Qershori është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e vendit kur do të jepet vendimi përfundimtar për çeljen e negociatave.