Kryesore A do të jetë Topalli Presidente dhe a e ka kërcënuar Malajn?...

A do të jetë Topalli Presidente dhe a e ka kërcënuar Malajn? Flet Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla është i bindur se Ilir Meta do të shkarkohet nga posti presidentit, pasi ka shkelur kushtetutën.

Cili do të jetë pasuesi?

Balla sqaron se kreu i ri duhet të jetë një person që bashkon të gjithë shqiptarët dhe mbi të gjitha jo një prej kryetarëve të opozitës, duke lënë të kuptohet se ajo nuk do jetë Jozefina Topalli, siç është përfolur gjerësisht këto ditë.

“Nuk kemi asnjë nxitim, duam te kemi një president që t’i bashkojë shqiptarët jo të jetë një prej kryetareve të opozitës”, deklaroi Balla ne emisionin ‘Përballë’ në TVSH, pa dhënë më shumë detaje të identikitit të kreut të ri të shtetit, nëse shkarkohet Meta.

Gazetari Lutfi Dervishi këmbënguli sërish, duke e pyetur nëse presidenti i ri, do të vijë nga opozita e re, e vjetër, shoqëria civile apo do të jetë akademik. “Kryetari i ri i shtetit për shqiptarët do të jete ai që zbaton Kushtetutën, nuk kemi asnjë njeri në mendje. Dua të shtoj se Ilir Meta ka humbur të drejtën për të vijuar për të qenë president me një sjellje antikushteuese, komunikim publik të papërshtatshëm dhe për demin që i ka shkaktuar Shqipërisë”, tha Balla.

“Do të ketë diskutime, për të zgjedhur një president të të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

Çështja Malaj

Numri dy i PS ka mohuar se ka kërcënuar Arben Malajn me anë të një mesazhi telefonit, siç pretendon anëtari i Bordit të Bankës së Shqipërisë. Në emisionin ‘Përballë’ në TVSH, Balla e justifikoi iniciativën e 28 deputetëve të PS me argumentin se Malaj ka shkelur disiplinën duke marrë pjesë në aktivitete politike.

Nuk do doja të bëja asnjë koment. Do të jenë kolegët e Grupit Parlamentar që kane kërkuar marrjen e kësaj mase disiplinore që do të flasin. Në asnjë Bankë Kombëtare në botë, asnjë anëtar që paguhet nga buxheti i shtetit, nuk bëhet pjesë e aktiviteteve publike.

Unë di vetëm që kam fajin dhe përgjegjësinë që kam propozuar zotin Malaj që të bëhet anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë. Me ne, nëse shkel ligjin shkarkohesh, është një shkelje flagrante e ligjit nga Malaj. Unë mbaj përgjegjësi qe kam ngulmuar të ishte edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj”, tha Balla.

Në një reagim paraditen e sotme, Malaj shigjetoi Ballën se e ka kërcënuar, pasi nuk ka pranuar disa rekomandime të PS. “Kërcënimet paralajmëruese mi ka dërguar Taulant Balla pas mos pranimit të ndërhyrjes së tij edhe me SMS me rekomandime partiake në proceset përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar ne mbledhjen e Bordit te BSH”, akuzoi Malaj.