Bota A do të mund të udhëtojnë europianët këtë verë?

A do të mund të udhëtojnë europianët këtë verë?

A do të mund të udhëtojnë europianët këtë verë? Brukseli po përpiqet t’i përgjigjet pyetjes me rekomandime për 27 vendet e BE-së, duke i inkurajuar veçanërisht për rihapjen e kufijve të tyre të brendshëm për të penguar një fundosje të aktiviteteve turistike.

Ky sektor, vendimtar për ekonominë e Bashkimit Europian, sepse ai përfaqëson 10% të PBB-së së tij dhe 12% të punësimit, e shikon me ankth mbërritjen e sezonit veror pasi tashmë ka vuajtur për dy muaj nga masat kufizuese të vendosura për të frenuar pandeminë.

Operatori kryesor turistik në botë, TUI gjerman njoftoi sot qëllimin e tij për të shkurtuar 8 000 vende pune në të gjithë botën, më shumë se 10% të fuqisë së tij punëtore.

Me refuzimin e disa vendeve europiane, Komisionit Europian kërkon t’i nxisë ata për heqjen graduale të kontrolleve dhe kufizimeve që kanë vendosur për t’i bërë ballë koronavirusit.

Komisioneri Europian për Çështjet Ekonomike, italiani Paolo Gentiloni u shpreh optimist.

“Ne do të kemi një sezon turistik këtë verë, edhe pse do të jetë me masa sigurie dhe shtrëngime që nuk kanë ekzistuar në vitet e kaluara”, premtoi ai në një intervistë për gjashtë të përditshme europiane, mes të cilave spanjollja “El Pais”.

Ai u shpreh optimist se deri në 60% e aktiviteteve të këtij sektori mund të shpëtohen në vendet më të prekura nga virusi, si Spanja.

Ekzekutivi europian kërkoi një rihapje të kufijve të brendshëm të BE-së në mënyrë të bashkërenduar, sa më harmonike të jetë e mundur dhe “jo-diskriminuese.

Bëhet fjalë për rekomandime të thjeshta sepse u përket shteteve anëtare të vendosin se si do ta mbrojnë territorin e tyre.

Sot, Austria njoftoi rivendosjen, duke nisur nga 15 qershori, të qarkullimit të lirë në kufirin e përbashkët me Gjermaninë, mbyllur që prej muajit mars.

Në udhëzimet e saj, është pikërisht një situatë e tillë me të cilën po merret Komisioni Europian.

Ai kërkon që që kur vendet janë në një situatë të krahasueshme epidemiologjike dhe kanë miratuar të njëjtat masa paraprake, ato duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë.

Më qartësisht, nëse vendi A hap kufijtë e tij me vendin B, duhet ta bëjë këtë edhe me fqinjin C, nëse ky i fundit është në të njëjtën situatë si B.

Po kështu, kur një shtet hap kufijtë e tij me një tjetër, ai duhet ta bëjë këtë për të gjithë banorët e këtij vendi, pavarësisht kombësisë.

Komisioni rekomandon gjithashtu që shtetet anëtare të marrin vendimet e tyre bazuar në një vlerësim shëndetësor të situatës në secilin vend dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin.