Politika A do të rrethohet Kryeministria? Flet Monika Kryemadhi

A do të rrethohet Kryeministria? Flet Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi thotë se protesta e opozitës më 16 Shkurt ka në thelb hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e emisionit “Opinion”, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehet se Shqipëria do të humbasë shansin nëse në muajin Qershor nuk hapen negociatat me Bashkimin Europian. Madje, kryetarja e LSI deklaron se do të jetë fatale për Shqipërinë nëse Maqedonia anëtarësohet në BE përpara vendit tonë.

“Protesta e ditës së shtunë është protesta e halleve të shqiptarëve. Protesta e 16 Shkurtit nuk është protesta për të marrë deklarata politike, ekstremiste. Protesta ka në thelbv të saj negociatat me Bashkimin Europian. Humbja  e shansit në Qershor do të jetë shkatërrimtare për Shiqpërinë, sepse mos-hapja e negociatave, futja e Maqedonisë në BE përpara Shqipërisë do të jetë fatale. Shqipëria ka shansin e fundit për të ecur përpara. Në të kundërt nuk e di ku do të shkojmë.

Hyrja në BE, hapja e negociatave krijon stabilitetin politik, ekonomik. Ne nuk mund të jemi më skllevër të Edi Ramës. Një njeri që gjunjëzon popullin e tij, ky njeri nuk mund të vazhdojë më. Do jetë protesta më paqësore që ka parë ndonjëherë Shqipëria, por dhe protesta me reagimin më të fortë qytetar. Sot nuk është populli përgjegjësi i kësaj situate, populli është viktima. Edi Rama është xhelati i shqiptarëve”.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse opozita kërkon largimin e Edi Ramës nga posti i Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike për të mundësuar hapjen e negociatave me BE-në, Kryemadhi u shpreh: “Për ne si opozitë nuk ka rëndësi rotacioni politik. Asnjë parti nuk do rotacion politik në tavolinë. Rotacioni politik vjen nëpërmjet votës. Qeveri kalimtare do të thotë hapja e negociatave, shkëputjen e politikës nga krimi. Këtu nuk është çështja për të bërë qeveri të përbashkët. Opozita kërkon t’u garantojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Kryetarja e LSI ka përsëritur disa herë se protesta e së shtunës do të jetë paqësore dhe nuk do të ketë dhunë. Sa i përket organizimit të protestës, Monika Kryemadhi nuk mohoi skenarin e rrethimit të godinës së Kryeministrisë.

Blendi Fevziu: Është folur për të rrethuar Kryeministrinë?

Monika Kryemadhi:Po ne mund të protestojmë ku të duam. Ajo është edhe çështje dekori. Kur të ngrejë dronat Edi Rama për të parë sa protestues do ketë, le të ketë sa më shumë pamje të mundshme. Edi Rama nuk është më Kryeministri i Shqipërisë. Jo vetëm unë, por edhe Partia Socialiste e mendon një gjë të tillë. Sepse ajo që të bën përshtypje është se ai vetëm për shqiptarët nuk ka punuar, ai ka punuar vetëm për veten e tij”.