Kryesore A do t’i rikthehet Jozefina Topalli politikës?

A do t’i rikthehet Jozefina Topalli politikës?

| Nga American Eye
Shpërndaje

A do t’i rikthehet Jozefina Topalli politikës? E ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në edicionin e dytë të spektaklit “Në kurthin e Piter Pan”, ish-kryetarja e Kuvendit tha se i ndjek gjatë gjithë kohës zhvillimet politike në vend, megjithatë ajo u shpreh se nuk e di nëse do të rikthehet ose jo në politikë.

“Unë do të gënjeja po të thoja që nuk e ndjek politikën, e ndjek në çdo moment. Do doja shumë që të ishte ndryshe, do doja shumë që të bënte kujdes për këta fëmijë dhe për prindërit e këtyre fëmijëve, të ishte më e vëmendshme. E kam për të gjithë fëmijët, nuk bëj diferenca. Do kisha dashur që të ishte më me dashuri dhe më normale. Nuk e di a do të kthehem… por është si një lloj droge, unë e ndjek në çdo moment. Shpesh mërzitem, shpesh mendoj se gjërat duhen ndryshuar tërësisht. Ndonjëherë mendoj që ky vend nuk bëhet, por pastaj them përse nuk bëhet, ky vend bëhet që ç’ke me të, mjafton që ta duash”.

Fëmijët ishin tepër kureshtarë për të ditur sa më shumë rreth Topallit. Ata i bënë pyetje si për familjen ashtu edhe për kohën kur ishte kryetare e Kuvendit.

Si do të sillesh me nusen e djalit?

Do ta dua shumë, se unë dua që djali të jetë i lumtur.

Kë ke më shumë pikë të dobët, djalin apo vajzën?

Unë të dy i dua, por djalin e kam ëmbëlsirë.

A i ndihesh keq kur ju imitojnë?

Natyrisht nuk më vjen fare keq kur më kanë imituar dhe unë kujtoj një vajzë që kishte studiuar në Shkodër që më imitonte çdo javë. Unë asaj i uroj shumë suksese, sepse është një talent i veçantë.

Ti komandoje shumë veta, ti do doje që ata të të komandonin ty?

Unë nuk kam qenë komandante, përse të jam dukur sikur kam komanduar aty? Në Kuvend kam drejtuar, kurse në shtëpinë time më drejtojnë të tjerët. Herë drejton dhe herë të drejtojnë të tjerët.