Bota A do t’ia dëmtojnë gafat shanset për president Joe Bidenit?

A do t’ia dëmtojnë gafat shanset për president Joe Bidenit?

Ish-nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden është pretendenti kryesor për president mes 24 demokratëve, që duan të fitojnë ndaj Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por duket se zoti Biden po bën edhe numrin më të madh të gafave në takimet e fushatave.

Zoti Biden, që ka hyrë në skenën politike amerikane prej katër dekadash në skenën politike amerikane, njihet për gabime të paqëllimshme kur flet para publikut dhe kundërshtarët e politikanit 76-vjeçar e kanë vënë në shënjestër.

Rastet e fundit kanë ndodhur në shtetin e Ajovas, ku shumica e kandidatëve demokratë morën pjesë në panairin vjetor të shtetit ku vënë në shënjestër zotin Trump dhe përpiqen të sigurojnë mbështetjen për dhe emërimin presidencial demokratik në fillim të shkurtit të ardhshëm.

“Ne zgjedhim shkencën mbi trillimet. Ne zgjedhim të vërtetën mbi faktet“, tha zoti Biden, ndërsa sulmonte Presidentin Trump.

Zoti Trump reagoi me shpejtësi ishte i shpejtë për ta ulur zotin Biden, i cili ka qenë për 36 vjet senator amerikan dhe për tetë vjet nënpresident në administratën e ish-presidentit Barack Obama dhe dy herë kandidat për president, por pa sukses.

“A beson dikush me të vërtetë se ai është i aftë mendërisht të jetë president?”, tha Trump në Twitter. “Është një botë shumë e madhe dhe e komplikuar. Joe nuk merr vesh!”

Në fakt presidenti Trump shpesh i ekzagjeron pretendimet e tij dhe disa media të Amerikës kanë thënë se ai thotë gënjeshtra dhe se është racist, pasi tha së fundmi se katër ligjvënëse të kongresit, duhet të “ktheheshin” në vendet e tyre të lindjes, edhe pse të katërta janë shtetase amerikane, tre të lindura në Shtetet e Bashkuara dhe tjetra një qytetare i natyralizuar.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar, Trump, në dënimin e dy të shtënave masive që vranë 31 njerëz, ofroi lutje për “ata që u zhdukën në Toledo”, jo Dejton, Ohio, një qytet 240 kilometra larg, ku ndodhi një nga vrasjet masive.

Por zoti Biden e ngatërroi edhe më keq gjeografinë, duke thënë në një takim fushate se vrasja e parë masive kishte ndodhur në Hjuston të Teksasit, në vend që të thoshte El Paso ku në fakt ndodhi ngjarja, dhe se vrasja e dytë masive ndodhi në Miçigan, një shtet fqinj i Ohajos, por më shumë se dy orë larg Dejtonit.

Në Ijova, zoti Biden, duke folur për arsimin në Amerikë, u tha votuesve, “Ne kemi këtë nocion që nëse je i varfër, nuk ia del dot. Fëmijët e varfër janë po aq të zgjuar, po aq të talentuar, sa fëmijët e bardhë”, duke lënë përshtypjen se fëmijët e zinj ishin të varfër.

Ai sqaroi shpejt: “Fëmijë të pasur, fëmijë të zi, fëmijë aziatikë.”

Gjatë raundit të dytë të debateve presidenciale demokratike muajin e kaluar, zoti Biden u ngatërrua lidhur me kohëzgjatjen e presidencës së zotit Trump, nëse rizgjidhet, duke sugjeruar se mund të ishin edhe tetë vjet të tjera, në vend të katër viteve.

Dhe në fund, zoti Biden u kërkoi votuesve që donin të ndihmonin fushatën e tij që të “vizitojnë në (faqen) ‘Joe 30330’” dhe ta ndihmonin të fitonte.

Por një faqe e tillë nuk ekzistonte në internet dhe më pas u bë e qartë se ai kishte ndër mend t’u thoshte mbështetësve të mundshëm që të dërgonin tekste në atë numër.

Nuk është e qartë nëse gafat e zotit Biden do të kenë ndikim, pasi anketat kombëtare tregojnë vazhdimisht se ai do të fitonte ndaj zotit Trump./VOA