Kulturë A duhet ta rishikojmë drejtshkrimin?

A duhet ta rishikojmë drejtshkrimin?

Nga Aristotel Spiro

Pesëdhjetë vjet në jetën e një gjuhe nuk janë shumë, por janë të mjaftueshme për të provuar nëse drejtshkrimi i saj u përgjigjet nevojave të përdoruesve.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me «Rregullat» që miratoi, kreu një akt të rëndësishëm historik. Nëse në fillim të shekullit XX Kongresi i Manastirit (1908) njësoi shkrimin shqip, Kongresi i Drejtshkrimit (1972) hodhi hapin e fundit duke vendosur normën drejtshkrimore.

Kongresi i Drejtshkrimit ishte shprehje dhe kurorëzim i përpjekjeve të faktorëve mbarëshqiptarë në Shqipëri e jashtë saj për të standardizuar gjuhën shqipe. Në të morën pjesë 87 delegatë, që përfaqësonin të gjithë faktorët e politikave gjuhësore: Ministria e Arsimit, Instituti i Gjuhësisë, kabinetet pedagogjike të rretheve, pedagogët e fakulteteve filologjike të Tiranës dhe të rretheve, mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të shkollave të mesme të përgjithshme të Shqipërisë, shkrimtarët. Prania e gjuhëtarëve dhe pedagogëve nga institucionet arsimore dhe akademike të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe zbatimi i Rregullave në një entitet tjetër shtetëror (Jugosllavia), të përbërë nga disa ndarje administrative (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, Republika Socialiste Federative e Maqedonisë dhe Republika Socialiste Federative e Malit të Zi), autoritetet shtetërore të të cilave nuk morën pjesë në Kongres,  mund të regjistrohet si një sukses i jashtëzakonshëm. Të mirat e kësaj zgjidhjeje u bënë më të kuptueshme pas shpërbërjes së shtetit jugosllav, që i gjeti shqiptarët me një kod të përbashkët drejtshkrimor, çka do të ishte e vështirë në kohën e sotme të paragjykimeve postnacionaliste dhe sjelljeve partikulariste.

Praktika shkrimore gjysmëshekullore konfirmoi zgjidhjet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe Rregullave të tij. Sidoqoftë, rruga drejt ngulitjes së rregullave të drejtshkrimit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Shteti ka luajtur një rol vendimtar në ngulitjen dhe zbatimin e tyre. Miratimi i një legjislacioni detyrues si dhe krijimi i një baze mbështetëse, nëpërmjet shkollave, organeve botuese, mediave etj. krijoi dhe përforcoi shprehitë drejtshkrimore të përdoruesve të gjuhës shqipe.

Gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar kanë ndodhur shumë ndryshime politike, shoqërore dhe kulturore. Sistemi komunist mori fund. Shqipëria u hap drejt botës, ndërsa u krijua edhe Republika e Kosovës. Shqipja është tashmë gjuhë zyrtare në tri shtete (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut). Shumë elemente të reja kulturore hynë në këto hapësira shqipfolëse. Po ashtu, ndërveprimi midis tyre u rrit. Shprehitë e konsoliduara gjuhësore filluan të tronditen dhe të ndikohen nga shprehi të reja. Të gjitha këto nuk mund ta lënë pa e ndikuar edhe drejtshkrimin.

Gjatë periudhës pas viteve ’90 të shekullit të kaluar në bashkësinë akademike shqiptare nisi një diskutim për rishikimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila u quajt vijimisht shqipe standarde. Një vijë e fortë revizioniste u shfaq, që synonte në thelb shfuqizimin e Kongresit të Drejtshkrimit, goditjen e standardit dhe krijimin e një standardi verior me bazë gegërishten letrare. Në qendër të këtij kontestimi u vu Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me shkasin se ishte organizuar dhe mbështetur nga udhëheqja komuniste e kohës. Këto diskutime vijuan rreth njëzet vjet, por nuk patën ndonjë përfundim përmbysës. Gjithsesi, pjesa e ligjëratës rishikuese të drejtshkrimit mbeti. Kjo u shfajësua edhe me nevojën e natyrshme që drejtshkrimi i çdo gjuhe herë pas here i nënshtrohet një rishikimi.

Pesëdhjetëvjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe vjen si një jubile jo vetëm për të festuar, por edhe për të vlerësuar funksionimin e tij, për të nxjerrë në pah problematikat e mundshme që janë krijuar nga ndryshimi i rrethanave sociolinguistike dhe për të diskutuar rreth përditësimeve të elementeve që do ta vendosin drejtshkrimin në një bazë teorike dhe praktike moderne, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe standardeve dhe nivelit kulturor të shoqërisë së sotme, që ndryshon në mënyrë dinamike.

Prandaj, është e nevojshme që, para çdo diskutimi për drejtshkrimin e shqipes, të caktojmë premisat dhe kriteret e tij. Të vendosim, domethënë, se si do të kryhet, por sidomos si nuk do të kryhet, çfarë duhet përjashtuar, në mënyrë që të orientohemi drejt një perspektive të qartë dhe të kursejmë kohë dhe energji.

Mendimi im është se diskutimi duhet filluar duke treguar respektin më të madh për «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» (Tiranë 1973 – Prishtinë 1974). Çdo diskutim, çdo fjalë e nyjëtuar duhet bërë në bazë të teorive moderne të drejtshkrimit. Vetëm duke e vendosur drejtshkrimin mbi baza teorike dhe praktike moderne, do të shmangim subjektivizmin, diletantizmin dhe parapëlqimet vetjake e krahinore. Rimarrja e çështjeve të veçanta teknike dhe vendosja e tyre në të njëjtën vijë argumentuese të vitit 1972 mund të mos japë frytet e pritshme. Ne nuk diskutojmë me mendimin fillestar për të hedhur poshtë apo për të korrigjuar «Rregullat». Predispozicioni ynë është pohues, konfirmues, nuk është predispozicion korrigjues. Nuk vendosim për ndryshime, por shohim çfarë ka ndryshuar, konstatojmë dhe përkufizojmë ndryshimet. Le të mbajmë një qëndrim modest duke e parë veten tonë të pafuqishëm për të ndryshuar gjuhën, këtë ngrehinë shpirtërore që e ndërton prej shekujsh e gjithë bashkësia disamilionëshe folëse. Le t’i themi jo dëshirës së brendshme për të ndryshuar rregullat, le të ushqejmë dëshirën e shëndetshme për të pasuruar kulturën me elemente të reja që e emancipojnë shoqërinë dhe krijojnë një atmosferë respekti në komunikim.

Këtë e them meqenëse kam parë e lexuar mjaft kumtesa e diskutime nëpër tubime shkencore ku bëhen gjithfarëlloj propozimesh për të hequr apo shtuar ë-në e patheksuar apo fundore, për të shkruar disa emra ambigjenë me -ua apo -oja e deri tek propozimet për të futur në përdorim paskajoren e parafjalëzuar me parafjalën ‘me’.

Këto diskutime i bëjnë shpesh edhe studiues të vjetër e me përvojë dhe kontribute në gjuhësinë shqiptare, që dashur pa dashur e ngujojnë diskutimin nëpër çikërrima korrigjuese duke mobilizuar gjithë arsenalin e tyre argumentues gjuhësor e jogjuhësor vetëm e vetëm që të bëjnë një ndryshim në drejtshkrim. Ndërkohë, praktika e përdorimit të gjuhës shtron çështje krejt të ndryshme nga problematika arkaizuese që i ravijëzon këto diskutime.

Një pikënisje shumë e sigurt për të zhvilluar një ligjëratë të shëndetshme e të frytshme për drejtshkrimin e shqipes është ripërcaktimi i parimit themelor që e përshkon atë. Ky parim, ndoshta për arsye praktike, u formulua gabim në kryereferatin e Kongresit të Drejtshkrimit (Kostallari 1973: 79-80) dhe ky gabim u përsërit edhe në Rezolutën e Kongresit edhe në «Rregullat e Drejtshkrimit» (1973: 19). Formulimi i gabuar se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është ai «fonetik», solli si rrjedhim edhe formulimin tjetër të gabuar për ekzistencën një parimi dytësor drejtshkrimor të ashtuquajtur «morfologjik» në shqipe. Ndërsa tek formulimi i parë u arrit, siç duket, për shkak të ngatërrimit apo identifikimit të fonetikës me fonologjinë, formulimi i dytë, ai i parimit «morfologjik» (Rregullat 1973: 19), u përpunua për të mbuluar të gjitha ato raste që nuk gjenin shpjegim fonetik, por fonologjik.

Parimi fonologjik i drejtshkrimit nuk është një propozim kompromisi, por një kërkesë e natyrshme që vjen nga teoria dhe praktika e drejtshkrimit në përgjithësi dhe e drejtshkrimeve të gjuhëve që përdorin shkrimin alfabetik. Ky parim formulohet në të gjithë doracakët përkatës si një aksiomë. Pra, çështja nuk shtrohet: ta pranojmë ose jo parimin fonologjik. Çështja shtrohet: Pa pranuar parimin fonologjik të drejtshkrimit shqip si parimin e tij themelor, asnjë diskutim tjetër nuk ka vlerë.

Parimi fonetik, nëse merret si kriter udhërrëfyes, do të arrijë të shfajësojë qindra-mijëra sjellje arbitrare me gjuhën dhe shkrimin e saj, do të shfajësojë shkelje drejtshkrimore duke ushqyer anarkinë dhe duke nxitur propozime të pamotivuara.

Formulimi i parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes si PARIMI FONOLOGJIK do t’u sigurojë «Rregullave të drejtshkrimit të shqipes» një bazë të fuqishme moderne teorike dhe do të shmangë çdo propozim absurd që do të kryhet duke përdorur si argument parimin fonetik.

Por nëse për ndonjë arsye joshkencore nuk formulohet qartë dhe në mënyrë përfundimtare se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonologjik, atëherë çdo zgjidhje e propozuar do të jetë jo vetëm e pasigurt dhe e kontestueshme, por në mënyrë të pashmangshme edhe e dëmshme.

© Burimi: Blogu “Veritas et Virtus”