Extra A duhet të publikojnë prindërit fotot e fëmijëve pa lejen e tyre?

A duhet të publikojnë prindërit fotot e fëmijëve pa lejen e tyre?

Rrjetet sociale janë një mënyrë e mirë për të qëndruar në kontakt më njerëzit dhe miqtë tanë, ndërsa është gjithnjë zbavitëse kur shikon prindërit që përpiqen të shkrepin një selfie, duke përdor emoji të ndryshme.
Po nëse ata ndajnë fotot e fëmijëve në internet, pa lejen e tyre dhe nuk kanë njohuri mbi rregullat e privatësisë, a e kanë kaluar kufirin? Dhe nëse fëmijët i bezdis kjo gjë, si t’i bindin prindërit për të mos e bërë më. Sharenting (përdorimi i tepruar i mediave sociale nga prindërit për të ndarë materialet e fëmijëve të tyre) ka ndezur përsëri debatet pasi Gwyneth Paltrow ka postuar një fotografi të saj dhe vajzës së saj 14-vjeçare Apple Martin.

Më shumë se 150,000 njerëz pëlqyen foton, por Apple nuk ishte aq e impresionuar. Ajo iu drejtua mamasë së saj me një koment: “Mama e kemi diskutuar këtë, nuk mund të postosh asgjë pa pëlqimin tim”. Paltrow u përgjigj: “Nuk është vetëm fytyra jote në këtë foto”. Shumë nga ndjekësit e Paltrow në Instgram kanë argumentuar se nëna kishte çdo të drejtë të publikonte fotografitë e vajzës së saj, ndërsa disa të tjerë thonë se fëmijët meritojnë të drejtën e privatësisë.

Por çfarë ka për t’u shqetësuar?
Fëmijët nuk lejohen të regjistrohen në shumicën e rrjeteve sociale deri sa të kenë kaluar moshën 13-vjeçare. Kohë edhe kur ata mësojnë rreth postimeve të prindërve të tyre në rrjetet sociale. Konrad Iturbe, një zhvillues software 19-vjeçar në Spanjë, thotë se kishte një “zhgënjim të madh në moshën 14-vjeçare”, kur kuptoi se prindërit e tij kishin postuar fotografi të tij në rrjetet sociale. “Fotot qëndrojnë online përgjithmonë dhe kjo gjë më shqetëson”, ka thënë ai, “Nëna ime kishte Instagram para se të kisha unë një telefon, kështu që nuk isha në dijeni se fotot e mia ishin botuar,” i tha ai BBC.

“Me të vërtetë nuk më pëlqejnë që fotot e mia të jenë në internet – unë nuk kam postuar as edhe fotot e mia në llogarinë time të Instagramit – kështu që kur e ndoqa nënën time në Instagram dhe i pashë në profilin e saj, i thashë t’i hiqte fotot e mia nga aty, pasi unë nuk i kam dhënë leje për diçka të tillë”. Ai thotë se këtë e quante shkelje privatësie, dhe veçanërisht e shqetësonte fakti se në Instagramin e mamas së tij ishin shumë foto nga fëmijëria e tij, dhe llogaria e Instagram-së së nënës ishte e hapur për publikun.
“Unë nuk dua që fotot ë fëmijërisë time të jenë publike, pasi kjo është një gjë shumë intime.” thotë ai, duke shtuar se ai është gjithashtu i shqetësuar për “algoritmet e njohjes së fytyrës” dhe njerëzit që janë në gjendje të “fillojnë të më gjurmojnë edhe kur të jem më i rritur.”

A duhet të shqetësohemi për fotot që publikojnë prindërit në rrjetet sociale?
Sonia Bokhari, një 14-vjeçare në SHBA, pati një përvojë të ngjashme kur ajo iu bashkua Twitter-it dhe Facebook-ut. Duke shkruar në revistën Fast Company, ajo thotë: “kur pashë fotot e mia që nëna ime kishte publikuar për vite me radhë në Facebook, u ndjeva e turpëruar dhe e tradhtuar thellë. Kushdo që klikonte emrin e mamasë time në Facebook, shikonte të gjitha momentet e turpshme të fëmijërisë time, lojërat që bëja kur isha fëmijë, madje edhe fotot e pushimeve të mia kur isha 12 dhe 13 vjeç, ku edhe vetë mezi njihja veten”. Ndonëse pjesa më e madhe e adoleshentëve nuk e kanë përqafuar idenë e publikimit të fotove të tyre në rrjetet sociale nga prindërit.

Charlotte Christy, një 23-vjeçare që studion në Londër, thotë se ajo personalisht mendon se është “mjaft normale”. Charlotte thotë se ajo është mësuar që kur mamaja e saj filloi të ndante fotot e saj në rrjetet sociale. Ajo ishte 13 vjeçe kur mamaja e saj filloi të hidhte fotot e saj në Facebook. Dhe shpesh ishte e emocionuar për të parë se çfarë komentesh shkruheshin në fotot që mamaja e saj kishte publikuar. “Ndjehem sikur jetojmë në një shoqëri ku të gjithë dëshirojnë që fotot e tyre të jenë me të vërtetë të bukura. Por në qoftë se nëna ime ka një foto timen që nuk është shumë e këndshme, kjo nuk më shqetëson gjithsesi”, thotë ajo. “Edhe unë ndaj fotot e nënës time, ashtu siç i ndan ajo; mendoj se kjo është diçka e natyrshme. Ajo nuk duhet të më kërkojë leje mua, është nëna ime”.

A mund të jetë e rrezikshme?
Andra Siibak, një profesor i massmedias në Universitetin e Tartu në Estoni, ka kryer disa studime në lidhje “sharenting”. Në një studim që përfshin fëmijët estonezë nëntë deri në 13 vjeç, ajo zbuloi se fëmijët e pëlqenin kur prindërit ndajnë gjërat e tyre pozitive. Por atyre nuk u pëlqente kur prindërit publikonin imazhe që për ata nuk janë të bukura.

Një tjetër rrezik i mundshëm nga “sharenting” është “rrëmbimi digjital”, thotë Prof Siibak, ku të huajt marrin fotografi të disponueshme publikisht për fëmijët dhe i përdorin ato për qëllime mashtruese ose seksuale.

A duhet që prindërit t’i marrin më seriozisht shqetësimet e fëmijëve të tyre?
Prof.Siibak thotë se shumë prindër mendojnë se si të rritur ata janë përgjegjës për mirëqenien e fëmijës së tyre dhe nuk kanë nevojë për lejen e fëmijës për aq kohë sa besojnë që fotot nuk po bëjnë ndonjë dëm. Megjithatë, ai argumenton se prindërit duhet “absolutisht” t’i marrin më seriozisht shqetësimet e fëmijëve të tyre për jetën private. “Prindërit duhet të pyesin fëmijët se cilat foto u pëlqejnë atyre dhe cilat jo. Dhe nëse fëmijët janë dakord që ato foto të ndahen në rrjetet sociale. Kjo është një bazë e mirë e ndërtimit të marrëdhënies prind-fëmijë. Prindërit shpesh vendosin rregulla strikte të përdorimit të internetit për fëmijët e tyre për të mbrojtur privatësinë e tyre, por rregullat duket se janë të zbatueshme vetëm për fëmijët, e jo për të rriturit në familje”, thotë prof.Siibak.