Kryesore A është 1/4 grek? Ja përgjigjet kryeministri Rama

A është 1/4 grek? Ja përgjigjet kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference me gazetarët, ka hedhur poshtë çdo mundësi që të ketë sadopak gjak grek.

Rama theksoi se nuk do mërzitej nëse do ishte i vërtetë pohimi i Ministrit të Jashtëm grek, por shprehet se nuk ka asnjë qelizë.

Gazetari: Kemi një qeveri të re në Greqi me një ministër të jashtëm, i cili kishte deklaruar se njihte gjyshen tuaj mos gaboj. Ju vlerësonte për këtë. Ai ka deklaruar se jeni 1/4 grek dhe njihte edhe të afërmit tuaj.

Edi Rama: Çfarë jam? 1/4 grek?

Gazetari: Po

Edi Rama: Unë?

Gazetari: Sipas ministrit të jashtëm të Greqisë. Në çfarë pike janë marrëdhëniet me Greqinë?

Edi Rama: Sipas meje, nuk po e them që të mos bëjmë polemika që na krijojnë probleme sepse e dini që me komshiun është gjithmonë kollaj.

Gazetari: Negociatat me Greqinë në çfarë pike arrijnë?

Edi Rama: Kthehemi tek seriozja. E para punës, që të jem i qartë unë kam në dejet e mia një miks dhe nuk do isha aspak i mërzitur dhe nuk do ndihesh aspak keq nëse do kisha edhe një pjesë gjaku grek, por nuk kam asnjë qelizë, nuk e kam pasur këtë prurje ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera ashtu si kundër kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, Berat, Vuno, Vlorë. Kështu që për të qenë të qartë në këtë pikë. Nga ana tjetër dua ta them qartë dhe këtë që për mua ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë që të jemi të qartë dhe për këtë.

Duke qenë se nga pikëpamje fetare, nëse e lexojmë kështu, kam edhe rrjedhë katolike, edhe ortodokse dhe duke qenë se për vullnetin e vizionin e gjyshes sime jam katolik dua ta nënvizoj shumë qartë ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë. E kemi të ndarë këtë pjesë Greqi e ka bashkë por nëse për ta, me të drejtën e tyre, çdo grek është ortodoks, për mua çdo ortodoks shqiptar është shqiptar.

Ndërkohë që vëllezërit tanë të minoritetit janë ortodoksë dhe grekë, janë grekë dhe ortodoksë.

“Minoriteti grek i dëshiruar në Shqipëri, urë lidhëse me Greqinë”

Kryeministri Rama tha se për sa i përket marrëdhënieve: “Nuk diskutohet se gjithmonë dëshira, synimi, qëllimi kanë qenë për marrëdhënie më të mira të mundshme. Kemi pasur çështje për tu diskutuar, kemi bërë negociata sepse janë çështje të së shkuarës që na janë paraqitur  historikisht si problem për të ardhmen për arsye politike. Me qeverinë e re duam të kemi vazhdim të dialogut për çështjet, duam të kemi miqësi, mirëkuptim, respekt sepse marrëdhëniet tona miqësore nuk mund të varen nga origjina politike e një qeverie apo një tjetre.

Janë të majtë, janë të djathtë, janë të qendrës, janë të gjitha bashkë në Tiranë apo Athinë kjo nuk duhet të ketë rëndësi. Është e rëndësishme të intensifikojmë dialogun për të vënë pikat mbi i’, mbi disa aspekte të deformuara për shkak të informacioneve, trajtimeve të gabuara nga nivele të caktuara të medias apo politikës mbi respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Minoriteti grek është i dëshiruar dhe i shikuar si pjesë integrale e padyshimtë e bashkëjetesës sonë dhe si pasuri, si urë lidhëse. Asnjëherë nuk ka pasur tendencë negative kundrejt minoriteti grek. Nuk diskutohet.”