Kryesore A është Haradinaj shok me Ramën? (Dhe disa pyetje që e vunë...

A është Haradinaj shok me Ramën? (Dhe disa pyetje që e vunë në siklet kryeministrin e Kosovës)

I ftuar në spektaklin “Në Kuthin e Piter Pan” në Tv Klan, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u është përgjigjur pyetjeve të fëmijëve, por edhe të drejtueses Alketa Vejsiu.

Në studion e “Në Kurthin e Piter Pan” u shfaq një foto e Kryeministrit Haradinaj me Kryeministrin Edi Rama, ku të dy kanë bashkuar duart mbi flamurin kuqezi gjatë një mbledhje të përbashkët mes qeverive.

Alketa Vejsiu: Jeni shokë të mirë ju?

Kryeministri Ramush Haradinaj: Po jam shumë shok i mirë me Edin, por edhe jam shok i mirë me udhëheqësit e tjerë në Shqipëri.

Më herët, drejtuesja e spektaklit, Alketa Vejsiu, i bëri disa pyetje Kryeministrit Haradinaj, për të cilat tha se ishte konsultuar me bashkëshorten e tij, znj. Anita, e cila në fakt është gazetare në Kosovë.

Alketa Vejsiu: A do më shumë gruan apo nënën?

Ramush Haradinaj: Nanën, e dua shumë edhe Anitën.

Alketa Vejsiu: Cili është udhëtimi më interesant që ka mbetur në kujtimet tuaja?

Ramush Haradinaj: Kur kam shkuar në Hagë me një aeroplan shtetëror. Kam qenë me Anitën. Aty na kanë lejuar të bëjmë qejf, se me atë aeroplan shkoja në burg. Ka qenë udhëtimi më i çuditshëm i jetës time.

Alketa Vejsiu: Cili ka qenë takimi më i sikletshëm nga karriera juaj?

Ramush Haradinaj: Koha e luftës në Maqedoni. Një diplomat në atë kohë kërkoi të vinte të më takonte nga Maqedonia. Mbërriti shumë herët, në orën 06:00. Dikush që kishte shërbyer kafe dhe ujë, kishte shërbyer edhe raki në gota të njëjta me ujin. Edhe diplomati e kapi gotën e piu duke menduar që kishte marrë ujin.

Alketa Vejsiu: A jeni koprac për diçka?

Ramush Haradinaj: Mendoj që i ndaj edhe ndjenjat, edhe ato që janë të mira për njerëzit. Nuk mendoj se jam koprac.

Një pyetje me spec, Kryeministrit të Kosovës i bëri edhe Eno, i cili kujtoi kohën kur Haradinaj shërbente në UÇK.

Eno: A e ke lënë ndonjëherë shërbimin të takosh gruan?

Ramush Haradinaj: Po, por unë mendoj se çdokush e ka bërë një gjë të tillë.