Kulturë A është ky muzeu më i pazakontë në Europë?

A është ky muzeu më i pazakontë në Europë?

Joshua Mellin, CNN

Muzeu Dalí në Spanjë renditet si një nga muzetë më të pazakontë në të gjithë kontinentin europian. Koleksioni i Salvador Dalí është trashëgimia më e rëndësishme nga surrealisti i famshëm, dhe gjendet pikërisht në këtë muze. Fortesa e kuqe e muzeut, e mbuluar me vezë gjigante, duket se i shkon përshtat vizionit të Dali-s, i njohur për pikturat e tij, filozofinë e të jetuarit dhe shumëçka që e bëjnë atë madhështor.

I vendosur në Figueres, qyteti i lindjes së spanjollit, jo shumë larg kufirit me Francën, muzeu është ngritur në atë që dikur ishte teatri i fëmijërisë së Dalí-s. Pasi teatri u dogj, gjatë Luftës Civile Spanjolle, në fund të viteve 1930, Dalí u bashkua me qytetarët e tjerë, në vitet 1960, në një plan për ta rindërtuar atë në një tempull madhështor, ku do të shfaqeshin veprat e tij.

Shtëpia surrealiste e kuruar prej vetë Dalí-s me pikturat e tij, u hap për publikun më 1974 dhe sot është i vizituar nga një numër i madh turistësh. Përveç muzeut, turneu Dalí, i njeh vizitorët edhe me një ndërtesë mesjetare në jug të Figueres, të cilën artisti e rinovoi si një pallat për gruan e tij Gala, si dhe rezidencën bregdetare, në lindje të Figueres.

Vizitorët, së pari, hyjnë në muzeun teatror Dalí, përmes një oborri rrethor të hapur dhe menjëherë depërtojnë në imagjinatën e Dalí-s. Piktura, statuja, manekinë, instalacione të ndryshme gjenden në muzeun me kupola prej xhami, që synojnë t’i ngjajnë syrit të një mize, për t’ju përshtatur padyshim surrealizmit të Dalí-s.

Gjithashtu, aty paraqitet edhe marrëdhënia e diskutueshme e Dalí-s me Picasso-n, të cilët pavarësisht se bashkëkohës, u përplasën për politikën dhe kjo reflektohet edhe në artin e tyre. Dalí kaloi më shumë kohë në Shtetet e Bashkuara, por vepra e tij, “Portreti i Picasso-s”, shfaq një Picasso të deformuar në majë të një piedestali, çka lë pak dyshim për mendimin e tij ndaj këtij artisti.

Një pasion tjetër i Dalí-s ishte për filmin dhe kjo duket qartë edhe në bashkëpunimin e tij me Walt Disney, në filmin e shkurtër të animuar “Destino”, i cili shfaqet në këtë muze. Një ekspozitë speciale e muzeut përmban bizhuteri dhe monedha, duke demonstruar se si Dalí tejçoi surrealizmin në forma të reja të artit. Krijime të bëra me perla, rubinë natyralë, ar dhe diamante, mund të shihen në galeritë e muzeut.

Duke përshkruar se si e dëshironte këtë muze, Dalí njëherë u shpreh: “Unë dua që muzeu im të jetë një labirint, një objekt i madh surrealist. Do të jetë një muze plotësisht teatror. Njerëzit që do ta shohin do të largohen me ndjesinë e të përjetuarit një ëndërr teatrale”.