Politika A ishte target i ambasadores Kim? Meta: Nuk ka mundësi, sepse pastaj...

A ishte target i ambasadores Kim? Meta: Nuk ka mundësi, sepse pastaj ka probleme të tjera

Një postim në Twitter i Ambasadores së SHBA në Shqipëri Yuri Kim, teksa fliste për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi, është kthyer në çështjen kryesore politike.

Mbrëmjen e kësaj të hënë, nga studio e “Opinion” në Tv Klan, Presidenti Ilir Meta ritheksoi edhe një herë se postimi i Kim nuk i referohej atij.

“Unë besoj se jemi ende në kuadër të revolucionit kulturor të reformës në drejtësi, sepse është tjetër reforma në drejtësi që u votua në parlament, dhe është tjetër revolucioni që e ka katandisur në Ramaformë. U bë katër vjet që reforma është ndryshuar, ka gjashtë vjet që flitet me reformë dhe është paralizuar i gjithë sistemi dhe tani ata që e dështuan dhe e shndërruan në Ramaformë, kërkojnë të shpikin fajtor. E para, s’mund të jem un target i askujt se jam kryetari i shtetit…”.

Meta tha se është e pamundur që një ambasadore të ketë si target një President, sepse sipas tij “ka probleme të tjera”.

“Nuk ka mundësi që një ambasadore të ketë target një president sepse pastaj këtu ka probleme të tjera”.

I pyetur nga Blendi Fevziu se çfarë problemesh të tjera mund të ketë, Meta u shpreh: “Ka probleme të tjera patjetër, sepse ky është një vend sovran dhe duhet t’i japim fund kësaj historie ‘ambasadori këtu, targeti atje’. Nuk është Ilir Meta targeti i askujt, i asnjë shteti e i askujt… Nuk lejoj më që të tallet njeri me atë reformë që e katandisën në Ramaformë”.

Presidenti Meta foli dhe për takimin që ka pasur në Presidencë me ambasadoren Kim më 23 Mars, ku u diskutua sesi vendi mund të shkojë drejt një normaliteti kushtetues dhe politik.

“Ambasadorja në datën 23 Mars në një takim që ka bërë me mua në Presidencë bashkë me përfaqësuesin e saj që merret me çështjet e drejtësisë dhe unë kam qenë me përfaqësues të kabinetit tim, më ka kërkuar idetë e mia sesi mund të shkohet drejt një normalitet për gjithë këto problemet e Gjykatës Kushtetuese, integrimit… më 8 Prill drejtori im i kabinetit i ka kthyer një përgjigje bashkë me një platformë, ku i thotë që për ta vendosur vendin në një normalitet kushtetues edhe politik, ju lutem lexojini me kujdes këto propozime dhe presim sugjerimet dhe propozimet tuaja…. në 8 Prill Presidenti i ka çuar një platformë me 14 pika, që u bë publike”.