Politika A ka marrëveshje me Ramën? Basha: Më ka kërkuar të takohemi

A ka marrëveshje me Ramën? Basha: Më ka kërkuar të takohemi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm në emisionin “Opinion”, ka folur në lidhje me marrëveshjen e 18 majit mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

I pyetur nëse marrëveshja në fjalë vijon ende të zbatohet nga ai dhe Kryeministri, Basha u shpreh:

“E kam thënë disa herë. Jo nuk kam, marrëveshja është shkatërruar që kur Rama shkeli marrëveshjen duke shkatërruar zgjedhjet e 25 qershorit.”

Më tej, kryedemokrati i është përgjigjur interesit të gazetarëve nëse ka pasur apo jo një kërkesë nga Edi Rama për tu takuar, dhe nëse janë takuar së bashku apo jo.

Për këtë Basha tha se Rama e ka kontaktuar edhe me thirrje publike, por edhe në thirrje direkt, por nuk ka pranuar që të takohen. Kjo për shkak se sipas tij, Rama dhe ai kanë interesa të kundërta.

Blendi Fevziu: A ju ka kërkuar Rama të takoheshit?

Lulzim Basha: Po më ka kërkuar. Nuk kam pranur.

Blendi Fevziu: Pse nuk keni pranuar?

Lulzim Basha: Kemi interesa të kundërta. Ne kemi interes të mbrojmë kushtetutën, të vijojmë Reformën në Drejtësi, të krijojmë SPAK, KLP-në, ndërsa ai ka interesa të kundërta me këto.