Politika A kishte qëllim Rudina Hajdari që të ishte liderja e Bindjes Demokratike?...

A kishte qëllim Rudina Hajdari që të ishte liderja e Bindjes Demokratike? Flet Patozi

Astrit Patozi, koordinatori i partisë së re Bindja Demokratike, u pyet në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja nëse Rudina Hajdari kishte qëllim që të bëhej udhëheqësja e kësaj partie të re.

Patozi u përgjigj kështu: “Jo. Bindja Demokratike ka lindur me qëllimin e mirë që të jetë ndryshe nga të gjitha forcat e tjera politike, që të mos jetë parti e liderit. Ndryshe, ne nuk do të ekzistonim fare në tregun e ideve. Nuk mund të kishim kryetar përpara se të kishim partinë. Ne duam të bëjmë të kundërtën e asaj që bëjnë partitë kryesore”.

Patozi shtoi: “Kam konsideratën më të lartë dhe vlerësimin maksimal për zonjën Hajdari. Ne mendojmë se e rëndësishme është ideja dhe qëndrimi, jo njeriu. Kemi pasur dakordësi shumë të madhe për nevojën që ka Shqipëria për një politikë të re. Ne e konsiderojmë gabim politik djegien e mandateve. Kemi shumë qëndrime të përbashkëta, por ky projekt politik ka nevojë për dëshirë dhe çdo njeri bën llogaritë e veta. Zonja Hajdari është e ftuar dhe do të ketë vendin e saj te Bindja Demokratike. Ajo ka qenë frymëzuese e idesë që Shqipëria ka nevojë që forcat politike të shkojnë në zgjedhje”.

Ndërkohë, pas lajmit të themelimit të partisë “Bindja Demokratike”, nga mediat e Partisë Demokratike dhe LSI, u akuzua se ajo financohet nga kreu i qeverisë, Edi Rama si një “asgjësim” ndaj opozitës.

Patozi i mohoi të gjitha këto duke thënë se janë gënjeshtra, ndërsa lajmet për këtë fakt i konsideroi si reklama falas.