Opinione A mund të bëhemi vetëm një ditë si Gjermania?!

A mund të bëhemi vetëm një ditë si Gjermania?!

Nga Lutfi Dervishi

Nga Lutfi Dervishi

Nëse vetëm për një ditë Shqipëria do të ishte si Gjermania:

Kryeministri do të sillej si kancelarja gjermane që në fjalime publike një fjalë e thotë për “popullin e majtë’ dhe një fjali tjetër e thotë për “popullin e djathtë”. Ky fjalim nuk do të transmetohej live as në tv as në facebook.

2. Presidenti do të qëndronte mbi partitë politike, do të jepte mendime për situatën politike apo sociale, por pa e lidhur veten me ndonjë forcë politike.

3. Parlamenti shqiptar do të ishte vendi ku bëheshin ligje, mbikqyreshin agjenci dhe institucione dhe mbahej nën kontroll qeveria.

4. Kushtetuta do t’i konsiderojë gjykatat si pushtetin më të fuqishëm të shtetit. Dinjiteti i njeriut është në qendër të kushtetutës dhe nëse Parlamenti miraton një ligj problematik apo qeveria merr një vendim të diskutueshëm është gjykata ajo që ka fjalën e fundit.

5. Gjykata Kushtetuese është autoriteti më i lartë që vendos nëse politikat, vendimet dhe ligjet janë në përputhje me kushtetutën.

6. Votuesi do të shkojë në zgjedhje me dy fletë, një për kandidatin dhe një për partinë. Votuesi është i sigurtë që vota e tij numërohet dhe zëri i tij dëgjohet. Sistemi zgjedhor është i dizenjuar në mënyrë të tillë që asnjë parti e vetme të mos ketë shumicën në Parlament çka imponon konsensus dhe qeveri koalicioni.

7. Politikani shqiptar do të kërkonte ndjesë dhe do të jepte menjëherë dorëheqje me akuzën e parë për plagjiarizëm. Universiteti do t’i hiqte titullin shkencor dhe polikani do te mendonte vetëm për pensionin e tij politik.

8. Gazetari shqiptar do të shqetësohej për përkeqësimin e debatit politik në parlament dhe në sheshe dhe nuk do të bëhej luftëtari i paepur në llogoret politike.

9 Biznesmeni shqiptar, nuk do të fuste kokën në rërë si struci, por do të kërkonte me forcë nga politika zgjidhje dhe do t’i kujtonte elitës politike faturën financiare të krizës.

10. Nëpunësi shqiptar do të ishte shërbëtor i çdo qytetari. Paratë publike nuk do të shpërdoroheshin.

A mund të bëhemi një ditë si Gjermania apo një ditë është shumë sepse ka 24 orë?!!