Bota A mund të ketë një “fillim të ri” në marrëdhëniet BE-SHBA?

A mund të ketë një “fillim të ri” në marrëdhëniet BE-SHBA?

SHBA përpiqen të fitojnë simpati te Ursula von der Leyen e kolegët e saj të ardhshëm. Por sa mund të ndihmojë kjo ndërhyrje te fytyrat e reja të Brukselit për të zvogëluar rrudhat e thella në marrëdhëniet transatlantike?

U desh vetëm një vit për t’ia ulur optimizmin Gordon Sondland-it për përmirësimin e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Brukselit.  Ambasadori amerikan në BE erdhi në korrik të vitit të kaluar me besimin e plotë, se qasja e hapur e administratës së Trumpit do të fitonte pikë në Bruksel dhe do të mënjanonte disa vështirësi në marrëdhëniet transatlantike.

Sondland beson ende, se kjo mund të ndodhë, por jo me drejtuesit aktualë. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo sapo kaloi dy ditë në kryeqytetin e BE-së, dhe nuk u bëri as një telefonatë mirësjelljeje personave që ende mbajnë postet më të larta në BE. Sondland shpjegoi se SHBA po pret me gëzim 1 nëntorin, kur Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe administrata e saj të marrin në dorëzim detyrën.

Trump-i që e ndiqte takimin së largu, nuk do të linte rastin pa e komentuar:  “Gjenive” nëpër botë që e nxisin atë të bashkëpunojë me BE-në kundër praktikave të padrejta të tregtisë kineze ai u shkroi në Twitter: “Mos harroni se BE-ja dhe të gjithë na trajtojnë neve SHUMË padrejtësisht në tregti. Do të ndryshojë!”

“Marrëdhënia jonë me Bashkimin Evropian ka shumë ngërçe në shumë fronte, në tregti dhe në çështje të tjera, që kanë bërë që shumë biseda mes nesh të kenë qenë të pakëndshme,” tha Sondland duke komentuar vizitën e Pompeos. Sekretari i shtetit vetë kësaj here nuk kishte marrë gazetarë me vete.

Sipas Sondlandit, ky udhëtim kishte si synim që të shfletonte një “faqe të re” ose “të hapte një kapitull të ri” ose “emërtojeni me eufemizmin që dëshironi”. Sondland u shpreh i kënaqur me ngrohtësinë dhe përmbajtjen e takimeve, megjithëse, siç shtoi, takimet nuk synonin të kishin shumë përmbajtje. “Kam dëgjuar të flitet se ka shumë liderë (në BE) që thonë gjëra, të cilat unë nuk i imagjinoja se do t’i thoshin e që janë shumë, shumë të përafërta me botëkuptimin tonë”, tha ai, pa hyrë në hollësi të mëtejshme.

Sipas Sondlandit kjo është një shenjë për ndryshimin e qëndrimit, duke thënë se von der Leyen, së bashku me drejtuesit e tjerë që po vijnë në BE, “nuk kanë aq interes të kenë fërkime me Shtetet e Bashkuara, se sa të punojnë së bashku për të arritur rezultate në temat e ndryshme, si Kina, Irani apo Lindja e Mesme”.

“Diplomaci jo e mençur”

Sondland këmbënguli se fakti që SHBA-të kanë preferenca për zyrtarët e rinj nuk do të thotë se ato nuk e respektojnë ekipin që është duke u larguar. “Ne kemi pasur disa suksese të mëdha së bashku në fusha të ndryshme, por ne duam të mënjanojmë bllokadat”, tha ai, “dhe nganjëherë mënyra e zhbllokimit është largimi i lojtarëve në fushë.”

Edhe vetë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva, e justifikon qëndrimin e Uashingtonit. “Është e vetëkuptueshme që kur ndryshon lidershipi, ju doni të krijoni një marrëdhënie me udhëheqjen në e re,” tha ajo. “Unë në fakt e shoh si një veprim për të siguruar mbështetjen për marrëdhëniet shumë të rëndësishme që kemi.”

Sekretari i Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe stafi i tij në tryezë me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherinin dhe ekipin e saj (shkurt 2019) Reuters. Marrëdhëniet e Komisionit të BE-së me administratën e Trump-it nuk ishin gjithnjë aq miqësore sa duken në këtë fotografi.

Të tjerë, si për shembull Evelyn Farkas, e shohin këtë ndërhyrje të parakohshme si një gabim taktik.

Ish-ndihmësja e sekretarit të mbrojtjes nën administratën e Obamës, tani punon për Fondin Marshall Gjermani, thotë se “kjo nuk është diplomaci e mençur”. Farkas beson, megjithatë se një përmirësim mund të ketë me stafin e ri në çështjen e Iranit. Sipas saj, Trump-i dëshiron të fitojë pikë si me Brukselin, ashtu edhe me votuesit amerikanë që kanë frikë nga një konflikt i ri në Lindjen e Mesme. Por ajo shton se nuk ka “rrugëdalje tjetër përveç përmirësimit të marrëveshjes [aktuale bërthamore]”.

Farkas shpreson që SHBA dhe BE të bëjnë disa shtesa në marrëveshjen ekzistuese, si  për shembull, të bien dakord për zgjatjen e afatit kohor të saj, duke përfshirë ndalimet për raketa balistike dhe kërkesën për një kontribut pozitiv nga Teherani në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.

Ndryshime në politikat ndaj Kinës?

Susi Dennison nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) beson se tema për të cilën mund të afrohen më shumë SHBA me BE është Kina, pavarësisht nga komenti i fundit u Trump-it në Twitter.

Sipas një sondazhi të bërë nga ECFR-ja, taktika amerikane ka arritur një farë suksesi: “Qasja radikale e Trump-it në marrëdhëniet me Kinën është diçka që evropianët e kuptojnë më mirë se qasjet e Trump-it për disa çështje të tjera,” thotë ajo. Dennison, e cila drejton programin “Fuqia Evropiane” në kuadër të ECFR-së, thotë se  nga sondazhet vihet re se në konfliktin mes SHBA-së dhe Kinës, evropianët do të preferonin të ishin të paanshëm. Por përtej kësaj, ata e mbështesin Uashingtonin shumë më tepër se Pekinin. Ky qëndrim nuk është i njëjti kur kemi të bëjmë me konfliktin SHBA-Rusi, shton ajo.

Por Dennison paralajmëron se qasja e Pompeos ka një të metë që administrata e von der Leyen-it do bënte mirë ta kishte parasysh: “Ndërtimi i marrëdhënieve pas dyerve të mbyllura me një administratë që është thellësisht e papëlqyer në Evropë, të lë shijen e një BE-je burokratike që vazhdon me kursin e vjetër,” thotë ajo. “Kjo nuk i shkon shumë imazhit të një Evrope të re, që dëgjon zërin e qytetarëve.”

Teri Schultz/DW