Kryesore A na mbron vaksina e gripit edhe nga Covid dhe cili është...

A na mbron vaksina e gripit edhe nga Covid dhe cili është dallimi kryesor mes dy sëmundjeve?

Flet Skënder Brataj

Skënder Brataj, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore ka folur në Top Channel për situatën e Covid-19 në vend.

“Me numrat që shohim sot, pas 3 javësh do të na shtohen pacientë me një përqindje më të lartë, prandaj kryerja e skenarëve 2-3 javë më parë është shumë e rëndësishme që mos të gjendemi të papërgatitur, por kemi nevojë për ndihmën e qytetarëve.”

Ai u shpreh se “çdo burim, çdo skenar do të vihet në dispozicion, por nuk duhet t’i ezaurojmë ato me një shpejtësi të madhe.”

Mjeku u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë edhe vaksinën e gripit, pasi “mbron edhe nga Covid”.

“Sado vaksina për gripin të jetë ndryshe, në një farë mënyrë mund të ndikojë edhe në uljen e rrezikut nga Covid-19.”

Sipas mjekut, dallimi kryesor mes dy sëmundjeve, është se “gripi i stinës zgjat më pak, është më i lehtë, dhe ka si shenjë karakteristike, sekrecionet nga hunda”.

I pyetur se cili është skenari tjetër, pas ndryshimit në procesin e mësimit online, Brataj sqaron se “po vlerësohet situata në çdo moment”.

“Duhet parë efekti i masave që janë vënë, për të vendosur për masat e tjera. Deri tani kemi thënë që janë masa të lehta dhe të mesme, mund të kalojnë nga të mesme, në masa më kufizuese, më drastike që kanë të bëjnë më kufizim oraresh, ose ndoshta mbyllje gjatë fundjavave apo një mbyllje prej disa javësh, që për momentin nuk e kemi marrë në konsideratë, por që është një nga masat që mund ta ulë në mënyrë drastike përhapjen e infeksionit. E dimë shumë mirë që masa më e mirë është mbyllja, por, duke qenë se me mbylljen vijnë shumë probleme të tjera duhet ruajtur një ekuilibër për të gjitha këto probleme.”