Politika A po plaket PS? Rama: Nuk ka rëndësi sa të shkruhet mosha...

A po plaket PS? Rama: Nuk ka rëndësi sa të shkruhet mosha në certifikatë, por se sa ndihesh

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje me Kryesinë e PS-së. Në fokus të diskutimeve kanë qenë dy pika kyçe njoftoi Rama, riorganizimi tërësor i të gjithë rrjetit rinor të PS-së, por edhe Kongresi që sipas kreut të qeverisë do të drejtojë sfidat e përbashkëta të partisë dhe qeverisë për katër vitet e ardhshme.

Duke iu përgjigjur edhe pyetjes së gazetarëve nëse PS po plaket, Rama tha se ripërtëritja, riorganizimet dhe fitoret kanë qenë gjithmonë një karakteristikë e PS.

Edi Rama: Ne kemi diskutuar për dy aktivitete të rëndësishme në vijim, një aktivitet është në 15 Janar, një aktivitet i rinisë socialiste dhe progresiste në funksion të një riorganizimi tërësor të të gjithë rrjetit rinor të PS, por edhe përtej PS në kuptimin, një rrjet aktivizmi, vullnetarizmi, qytetarie progresive në funksion të komunitetit në funksion të shoqërisë dhe sigurisht ku ne dëshirojmë që të ndërveprojmë me të rinjtë dhe t’u japim mundësinë që të kenë një mbështetje për çka ata mund të jenë të vlerësuar të bëjnë si qytetarë si aktivistë, si njerëz të interesuar përtej punëve të veta. Pastaj është ngjarja e Kongresit të PS që do të drejtojë sfidat e përbashkëta të partisë dhe qeverisë për katër vitet që vijnë.

Pyetje: Është duke u plakur PS meqë e vendosët theksin tek rinia?

Edi Rama: Të gjithë jemi duke u plakur Muhamed, por në fund të ditës nuk ka rëndësi sa të shkruhet mosha në certifikatë, por se sa ndihesh. Gjithmonë ripërtëritja, gjithmonë riorganizimet, shkuarja përpara, fitoret kanë qenë një karakteristikë e jona.