Kryesore Abazoviç kërkon falje për Skënderbeun: Jam krenar që jam shqiptar

Abazoviç kërkon falje për Skënderbeun: Jam krenar që jam shqiptar

Shqiptari më i famshëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka bërë një hap pas, duke kërkuar falje publike për deklaratën se nëna e Skënderbeut ishte serbe. Në një intervistë me “Almakos” në Maqedoni, ai u shpreh me krenari për origjinën shqiptare.

“Unë kam gabuar që kam thënë se prindërit e Skënderbeut janë serbë, ishte një lapsus dhe kërkoj falje publike dhe jam krenar që jam shqiptar”, ka deklaruar Abazoviç.

Më tej, ai është shprehur se është imponuar nga gazetari për të bërë një deklaratë të tillë.

“Ajo deklaratë nuk ka pasur qëllim të keq dhe unë absolutisht pranoj gabimin. Kam kërkuar falje lidhur me atë. Në të dytën pjesë të emisionit, kam folur për pavarësinë e Kosovës. Kam folur për Hashim Thaçin. Kur kam folur lidhur me çështjen e Skënderbeut, kam thënë që figura e tij është paqësore dhe burrni. E kam bërë gabimin dhe kam kërkuar falje. Kush ka dashur ta kuptojë që është bërë një lapsus e ka kuptuar. Unë nuk kam thënë që nëna e tij ka qenë serbe, por sllave dhe ortodokse. Më ka imponuar gazetari”, ka shtuar ai më tej.

Reagimi i kreut të Lëvizjes Ura vjen pasi mediat serbe ripublikuan deklaratat e tij kundër vendosjes së bustit të Skënderbeut në Ulqin si edhe prejardhjes së heroit tonë kombëtar.

Kosova

Pas vendimit për të hyrë në koalicion me opozitën pro-serbe, Abazovic i ka dhënë përgjigje edhe pyetjes se çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e re malazeze ndaj Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Kurir”, Abazoviç tha se pavarësia e Kosovës nuk është në diskutim dhe se ai pret që Kosova dhe Serbia në të ardhmen të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse. I pyetur nga media serbe për mundësinë që Mali i zi të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës ai tha se do të jetë kundër dhe mendon se “kjo pyetje as që do të vihet në rend dite, pasi që është çështje e mbyllur dhe se nuk duhet të kthehemi në të kaluarën”.

“Unë madje pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një gjuhë dhe marrëveshje të përbashkët në të ardhmen e parashikueshme që do të qetësonte tensionet dhe mundësonte procesin e pajtimit. Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu duan paqe, askush këtu nuk dëshiron luftë”, deklaroi ai.

Forca politike që drejton Abazoviç, u fut në aleancë me dy parti pro serbe dhe pro ruse të cilat kanë qenë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe për më tepër edhe kundër shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi.

“Çetniku Shqiptar”

Ai u pyet nga gazeta serbe edhe për faktin që njihet në politikën malazeze si “Çetniku Shqiptar”.

“Ndihem gjithmonë mirë, si kur më vlerësojnë, ashtu edhe kur më sulmojnë. “Çetniku Shqiptar” është bërë sinonim i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe më vjen mirë që shumë njerëz që janë malazezë dhe serbë nga kombësia, tani kanë filluar të thonë: “Unë jam një çetnik shqiptar.” Nëse çetniku shqiptar është sinonim i ndryshimit, le të mbetet pjesë e kësaj fushate”, tha Abazoviç.