Bota Abuzimet e priftërinjve, Benedikti XVI: Fajtor, revolucioni seksual i viteve ’60

Abuzimet e priftërinjve, Benedikti XVI: Fajtor, revolucioni seksual i viteve ’60

Ish-kreu i Vatikanit, Benedikti XVI ka publikuar një letër përmes së cilës fajëson “liritë e shfrenuara seksuale” të viteve ’60, si nxitëse të abuzimeve nga ana e klerikëve.

Sipas ish-Atit të Shenjtë, revolucioni seksual çoi drejt homoseksualizmit në establishmentin katolik. Ai shton gjithashtu se pedofilia nuk ishte një “ves akut” deri në fundin e viteve ’80, për të cilën sheh si shkaktare “mungesën e Zotit”.

Zgjidhja e vetme – sipas tij, – është bindja dhe dashuria për Jezu Krishtin.

E publikuar në revistën katolike gjermane “Klerusblatt”, letra prej 5.500 fjalësh është e ndarë në tri pjesë. Pjesa e parë shpreh keqardhjen për vitet ’60, kohë gjatë së cilës “standardet normative të së shkuarës në lidhje me seksualitetin ranë tërësisht”.

Më tej, letra ekzaminon mënyrën sesi revolucioni seksual ndikoi te priftërinjtë, duke krijuar “klikat homoseksuale” në seminare. Letra përfundon me zgjidhjen, sipas së cilës “vet njerëzit duhet të rifillojnë të jetojnë me besimin te Zoti”.

Në vitin 2013, ish-kreu i Kishës Katolike Romane ishte i pari që jepte dorëheqjen nga Papati në thuajse 600 vite. Ai falënderoi pasuesin e tij, Papa Françeskun “për gjithçka po bën, për të na treguar sërish dritën e Zotit, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është zhdukur”.

Papa Françesku tha në një letër të publikuar në vitin 2018 se Kisha “nuk ka vepruar në kohën e duhur” sa i përket çështjes së abuzimeve seksuale me fëmijët, dhe se “nuk tregoi aspak kujdes për të vegjlit, por i braktisi ata”.