Aktualitet Abuzimi me çmimet e maskave, Prokuroria nis hetimet

Abuzimi me çmimet e maskave, Prokuroria nis hetimet

Alarmi i koronavirusit rriti ndjeshëm kërkesat për maska dhe produkte të tjera që parandalojnë simptomat e gripit.

Për këto raste, Prokuroria e Tiranës ka nisur kryesisht hetimet për abuzimet me çmimet. Hetimet kanë nisur pas informacioneve në media dhe shqetësimit të qytetarëve.

Rritja e beftë e kërkesës është shoqëruar me abuzime më çmime, sidomos nga depot farmaceutike.

Çmimi është thuajse trefishuar, ndërsa maskat prej karboni nga 330 lekë sot u shitën 800 lekë.

Edhe pse nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, shumë njerëz kanë shtuar masat sidomos për higjienën, duke blerë e përdorur masivisht dezinfektantët.

Mjekët thonë se paniku i përhapur në popullatë është i ekzagjeruar. Mjekët thonë se kujdesi ndaj higjienës personale dhe shmangia e mjediseve të mbyllura, është mbrojtja më e mirë në këtë periudhë virozash.