Ekonomi Acarohen grekët: Ne prisnim investime në Kretë nga Emiratet, paratë shkuan në...

Acarohen grekët: Ne prisnim investime në Kretë nga Emiratet, paratë shkuan në Durrës

Marrëveshja 2 miliardë euro e qeverisë shqiptare me kompaninë e Emirateve të Bashkuara Arabe “Emaar Group” për transforminin e Portit të Durrësit, ka ngjallur reagime së fundmi në Greqi.

“Newsbreak” i ka dedikuar një shkrim këtij lajmi, duke e titulluar “Poshtërim i paparë: Në vend të Kretës, Emiratet investuan në Shqipëri!”, shkrim i cili më pas është shpërndarë në disa media të tjera.

Në artikull shkruhet: “Udhëtimet e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe ministrit të Zhvillimit Adonis Georgiadis në Emiratet e Bashkuara, ishin për argëtim. Kujtojmë se ministri i bëri një foto llambadarit. Greqia regjistroi një dështim historik, në një moment jashtëzakonisht kritik, ku të gjitha faktet ishin në favor të saj. E pritëm në Kretë, por investimi shkoi në Shqipëri”.

Pak ditë më parë, themeluesi i “Emaar Group”, Mohamed Alabbar, i njohur si ndërtuesi dhe pronari i Burj Khalifa në Dubai, tha në një deklaratë se “ky investim pritet të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Durrësit, duke e kthyer qytetin bregdetar në një nga pamjet më të bukura të Adriatikut”.

Në marrëveshje parashikohet transformimi i Portit të Durrësit në zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet. Ndërkohë që për transportin e mallrave qeveria parashikon ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano. Në total, Emiratet e Bashkuara pritet të investojnë 2 miliardë euro.