Aktualitet Adidas dhe Nike false, do vinin në Shqipëri, sekuestrohen në Greqi

Adidas dhe Nike false, do vinin në Shqipëri, sekuestrohen në Greqi

Departamenti i luftës kundër krimeve ekonomike në Greqi, ka sekuestruar në portin e Pireut, një kontenier me produkte të falsifikuara, destinacioni i të cilit ishte porti i Durrësit.

Sipas burimeve policore, agjentë të këtij seksioni, sekuestruan konteinerin e mbërritur nga Kina, në të cilin ndodheshin 6672 palë këpucë të markës Nike, dhe 1260 pale atlete të markës Adidas, si dhe 432 palë atlete pa markë.

Të gjitha produktet e sekuestruara, u dërguan në një linjë riciklimi të certifikuar në të cilën edhe u shkatërruan. Mësohet se dëmi i krijuar për kompanitë e produkteve autentike të markave Nike dhe Adidas, kalon 1.000. 000 euro. Pak ditë më parë, në të njëjtin port, u sekuestrua edhe një tjetër konteiner me ora Rolex dhe mijëra produkte të flasifikuara me destinacion Shqipërinë.

Autoritet greke thone se kanë informacion se në portet greke do të mbërijnë edhe konteinerë të tjerë me produkte false, të cilat kane destinacion Shqipërinë, e cila konsiderohet si një ndër vendet parajsa të tregtimit të produkteve false.