Aktualitet Administrata e korruptuar, administrata e frikësuar dhe prioritetet e “Rama 2”

Administrata e korruptuar, administrata e frikësuar dhe prioritetet e “Rama 2”

Nga Mero Baze

Edi Rama e ka marrë me qejf demaskimin e administratës së korruptuar. Janë njerëz që kanë drejtuar shtetin këto katër vite, nën drejtimin e tij dhe që natyrisht shumë prej tyre, ua kanë nxirë vërtet jetën njerëzve. Është e kollajtë tua hedhësh ata turmës, për t’i shqyer. Shto këto dhe genin e ringjallur të gjyqeve publike të shqiptarëve dhe tani kemi të gjithë ndjesinë që rrethohemi nga një administratë e korruptuar.

Mirë apo keq, me populizëm apo enverizëm, Edi Rama duket se ka ndërmend t’i heqë të gjithë këta tipa që shkojnë deri në nivel drejtorësh nga puna.

Pas kësaj, të rinjtë që do të vijnë do të kenë parasysh këto gjyqet popullore, denoncimet nga populli dhe ndoshta do t’u dridhet dora kur të kërkojnë bakshish për çdo letër që firmosin, apo çdo hall që ke.

Por kjo qasje e Edi Ramës, është e ndryshme nga qasja që ai kishte katër vjet, kur erdhi në pushtet, me një tezë moderne lidhur me korrupsionin. Në atë kohë ai mbronte tezën, dhe mirë bënte, që tek ne është sistemi i korruptuar dhe çdo zyrtar mund të korruptohet brenda tij.

Beteja e tij katërvjeçare në këtë drejtim dha disa rezultate. Fjala vjen në sistemin arsimor u eliminua punësimi me mik i mësuesve, ose së paku u reduktua së tepërmi, pasi u krijua një data bazë përmes portalit ku meritokracia ka vendin e vet, jo aq lehtë të spostueshëm. Po kështu dhe për të drejtat e studimit.

Ky model rekrutimi nuk ka mundur dot të shtrihet më tej në sektorë të tjerë, dhe kjo është një betejë për t’u bërë. Në fushat e tjera janë bërë pak gjëra, për të mos thënë që në sektorët kyç asgjë. Pra, ata ngelën brenda një sistemi, i cili është i korruptuar dhe të korrupton. Modernizimi online pasoi në disa procedura tatimesh dhe aplikime të tjera, por jo deri në fund. Ende nevoja për shërbime e qytetarit varet nga vullneti i nëpunësit në një shkallë të madhe.

Sektorët alarmant të korrupsionit si Hipoteka, ALUIZNI, Doganat, Tatimet, Policia, Burgjet, etj, mbetën të paprekura, dhe gjyqi popullor tashmë ndaj drejtorëve të tyre është një faj kolektiv dhe jo personal. Ata natyrisht që kanë bërë dëme, por vetë qeveria nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë për t’i modernizuar ato sektorë. Biles ka fusha si hipoteka që ka hapa prapa nga premtimet dhe të kohës Berishës, për marrjen onlinë të dokumentit të freskët të pronësisë kur shet ose blen.

Rreziku që ne kemi tani, nëse nuk modernizojmë sistemin, është që në vend të administratës së korruptuar, të vijë administrata e frikësuar, e cila nuk do firmosë asnjë letër dhe nuk do bëjë asnjë punë, pasi do të jetë nën dyshimin e akuzës për korrupsion.

Askush nuk është i imunizuar, nëse bëhet nesër drejtor hipoteke, ALUIZNI, apo në burgje për të mos qenë i korruptuar. Dhe nuk ka pse të jetë, nëse sistemi ka të çara dhe e le qytetarin në mëshirë të tij.

Maksimumi i ndershmërisë tani do të jetë drejtori i  frikësuar dhe ky do të jetë edhe më i keq për qytetarin, se ky i pari. I pari nuk i firmoste letrat, se donte pare, i dyti nuk i firmos, se nuk do pare dhe efekti do të jetë po njësoj për qytetarët.

Modernizmi i shtetit ligjor dhe shërbimeve do të sjellin një epokë të re për shqiptarët dhe jo zëvendësimi i drejtorëve të korruptuar me drejtorët e frikësuar.

Kjo vlen dhe për prioritet kombëtare që ka caktuar Edi Rama në 100 ditët e tij të para. Fjala vjen një nga  prioritetet e Ramës, është siguria ushqimore. Kjo nuk zgjidhet duke vënë dhe njeriun më të fuqishëm të botës në krye të saj, nëse nuk e modernizon sektorin. Si mund të ruajë Drejtori i AKU, fshatarin në Lushnjë që i hedh pesticide të rrezikshme shalqinit, luleshtrydheve, apo domateve? Asnjë shans nuk ka. Si mund ta ruash bariun në Kurvelesh nëse nuk ushqen me hormone kecin, apo qengjin? Si mund të ruash baxhon në Fushë Krujë, nëse nuk i hedh qumësht pluhur kosit apo djathit?

I vetmi shans është që ne të formalizojmë fshatin, të detyrojmë çdo fshatar që shet produktet e veta,  t’i vërë barkodin produktit të tij, dhe ai të ketë mundësi të gjurmohet si produkt deri në konsumim. Vetëm ky modernizim, fjala vjen do të na ndihmojë ta kapim fshatarin abuziv dhe ta mbrojmë klientin që blen produktin e tij. Në rast se nuk e modernizojmë sektorin e sigurisë ushqimore, do të vdesim të gjitha nga papërgjegjësia e tregut informal të fshatit.

E njëjta gjë vlen për prioritet e tjera të qeverisë si ujësjellësi, pastërtia, mjedisi etj.

Sot rreziku nga ndotja nuk vjen aq shumë nga qyteti, pasi është modern. Qytetet kanë infrastrukturë që funksionon, mirë apo keq, lidhur me mjedisin, pastërtinë plehrat, ujësjellësin etj. Fshatrat shqiptarë kanë 25 vjet që nuk pastrohen, nuk furnizohen, nuk mbrojnë mjedisin dhe mbi të gjitha nuk i japin llogari askujt. Përrenjtë tanë të mrekullueshëm malorë, apo lumenjtë malorë, janë të mbushur me shishe birrash e plastikë që konsumohet tek klubi fshatit. Qeset plastike në fshatra po bëjnë kërdinë, pasi ata janë jashtë kontrollit të menaxhimit urban të mbetjeve dhe larg kulturës së tyre personale. Qytetet kanë së paku një makinë plehrash dhe idenë që ato duhen hequr. Fshatrat shqiptarë nuk kanë parë kurrë një makinë plehrash në shesh të fshatit dhe e dinë se plehrat duhen hedhur në përrua se ai i çon në lumë.

Dhe kjo nuk zgjidhet me represion, por mbi të gjitha me modernizim të fshatit, kontroll të territorit nga qeveria si një i tërë, për të ruajtur standardin e mjedisit.

Duke frikësuar, duke bërë gjyqe popullore dhe mbi të gjitha duke e kufizuar të keqen tek korrupsioni, jo vetëm që ta do ripërsërisim atë, por në rastin e kundërt do prodhojmë një administratë të frikësuar e cila do të jetë dhe më e keqe dhe bllokuese për qytetarin, se hajdutët që të mbarojnë punë me lek.

Edi Rama do ta fitojë këtë betejë, kur ta bëjë shtetin modern dhe jo kur të frikësojë zyrtarët anadollak, duke i zëvendësuar qoftë dhe me njerëz modern. Frika nuk e bën shtetin modern, e bën të frikësuar. Dhe natyrisht shoqërinë aspak më të mirë.