Ekonomi Aeroporti i Vlorës do menaxhohet nga ai Mynihut, Rama: Vepër historike për...

Aeroporti i Vlorës do menaxhohet nga ai Mynihut, Rama: Vepër historike për Shqipërinë dhe Kosovën

Filluan sot zyrtarisht punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë zyrtare për nisjen e punimeve tha se aeroporti do të jetë një vepër historike për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Kam shumë dëshirë të besoj që gjithë kjo furtunë që po shoqëron nisjen e këtij projekti paralajmëron bereqet për Vlorën e së nesërmes dhe ndërkohë jo se dua ta besoj, por e besoj me gjithë forcën e zemrës se ky aeroport është vepër historike jo për Vlorën, por për Shqipërinë edhe për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët. Dua t’i uroj fat në punë sepse edhe fati duhet të gjithë atyre që angazhohen në kantier sot me në krye bacën Behgjet”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se nga të gjitha punët e qeverisë, kjo ka qenë më e vështira. Madje nuk ngurroi të kujtonte me humor edhe padurimin e vlonjatëve, aty ku ka qenë deputet për 8 vite.

“Nga të gjitha punët kjo ka qenë më e vështira dhe për dreq qëlloi që duhet të ishte një punë që duhej bërë këtu në Vlorë dhe mu desh të përballoj të gjithë padurimin e vlonjatëve që dihet që janë kampionët e padurimit në gjithë universin shqiptar”, tha Rama.

Projekti pati vonesa për shkak të fatkeqësive natyrore, tha Rama, ndërsa shtoi se aeroporti i Vlorës do të jetë në aleancë me aeroportin e Mynihut që është një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror, jo vetëm në Europë, por edhe në botë.

“Garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë të këtij aeroporti, por edhe garanton atë që të gjitha aeroportet kanë nevojë, sinergjinë me të gjitha aeroportet. Aeroportet janë si klane familjare. Nuk mjafton që të ndërtosh një infrastrukturë të bukur apo të kesh një punë që këtu do të jetë 3.2 kilometra. Duhet edhe të kesh aleanca dhe sinergji me aeroporte të tjera për të menaxhuar një numër shumë të madh pasagjerësh dhe për të krijuar kështu një sistem ku strukturat aeroportuale mbështesin dhe plotësojnë njëra-tjetrën”, tha Rama.

“Ky aeroport bëhet porta e 3 ndër 4 porta nga qielli që duam të hapim për Shqipërinë pas atij të Tiranës, atij të Kukësit dhe përpara se të nisë puna për portën e katër që është aeroporti sezonal për aeroportin e Sarandës që do të shërbejë për sezonin e pikut turistik”, shtoi më tej Rama.

Me aeroportet, sipas Kryeministrit, rriten të ardhurat e vendit. Ai u shpreh se turistët që vijnë përmes aeroporteve janë konsumatorë dhe kështu rrisin sasinë e parave që shpenzojnë në vend.

“Janë motorë ekonomikë dhe me fillimin e kësaj pune dhe me fillimin e punës së Sarandës vendosim një sistem të ri motorësh në ekonominë shqiptare, duke pasur parasysh që në Tiranë po shihet ulja drastike e çmimeve të biletave, nga ana tjetër nis së shpejti plani i ri i investimeve për terminalin e dytë, për zgjerimin e pistës që do të rrisë kapacitetet pritëse të aeroportit”, tha Rama.

Ky investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë hap 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.

Ky aeroport ishte një premtim i kryeministrit Rama për mandatin e tretë ndërsa pritet që të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të vendit dhe shtimin e flukseve turistike.

Kryeministri Rama ka publikuar edhe emblemën dhe emërtimin që do të mbaje kjo vepër me rëndësi dhe do të quhet Aeroporti Ndërkombëtar “Ismail Qemali”. Pista, e cila do të ndërtohet në Akërni, do të jetë rreth 3 kilometra e gjatë dhe do të mundësojë fluturime transoqeanike