Extra “Afera” mes presidentit francez dhe Lady Dianës që mbërtheu botën për vite...

“Afera” mes presidentit francez dhe Lady Dianës që mbërtheu botën për vite me radhë

Një “idil” midis Valéry Giscard d’Estaing dhe lady Diana është hipoteza që ka intriguar botën dhe francezët për vite me radhë, duke ushqyer konkluzione, hipoteza dhe fantazi.

E gjitha buron nga admirimi i madh, pothuajse një përkushtim, që ish-presidenti kishte për Zonjën D.

Por, gjithçka u zmadhua në vitin 2009 me botimin e librit të ish-presidentit me titull “La Princesse et le Président” (“Princesha dhe Presidenti”).

Ishte një roman që vërtitej rreth një historie dashurie midis një “princeshe të varfër” dhe një burri shteti të famshëm, Henry Lambertye.

Shumë besuan atëbotë se gjetën konfirmimin e një “lidhjeje”, pasi tiparet e protagonistit kujtuan në shumë mënyra Zonjën D, e cila kishte vdekur 10 vjet më parë në Paris.

Disa komentues shkuan aq larg sa të imagjinonin se Giscard d’Estaing kishte shkruar librin për të zbuluar disi një lidhje dashurie me princeshën Diana për të cilën ai nuk mund të fliste hapur.

Të dy, Giscard dhe Diana, ishin takuar personalisht në 1994 në Versajë, për një mbrëmje gala për të mbledhur fonde për fëmijët, të sponsorizuar nga bashkëshortja e Giscard, Anne-Aymone.

Fotot e të dyve të buzëqeshur, gati të magjepsur nga njëri-tjetri, bënë xhiron e revistave botërore.

Për vite me radhë, Giscard lejoi që dyshimet dhe konkluzionet të përhapeshin, sipas më dashakeqesve edhe në funksion të botimit të librit të tij, i cili ishte përkthyer në shumë gjuhë.

Një vit pas botimit të romanit, i cili shkaktoi një sensacion të madh, Giscard d’Estaing – i ftuar në një shfaqje të njohur televizive – i preu drutë shkurt.

“E gjitha është një shpikje”, tha ai.

Pak më vonë, në një intervistë me “Le Point” ai pranoi se “e kam sajuar historinë” duke iu referuar dashurisë që në roman pushton një president të Republikës Franceze dhe një princeshë angleze.

“Zonja Patricia e romanit, megjithatë, u frymëzua nga Diana. Është një roman në të cilin princesha Diana është personazhi kryesor. Unë u përpoqa ta ringjallja atë, siç ishte, … por të mos e ekzagjerojmë, unë vetëm e takova pak, një marrëdhënie në një klimë besimi”, deklaroi VGE.