Aktualitet Afganët në Shqipëri po “skanohen”, krijohet data-baza e veçantë

Afganët në Shqipëri po “skanohen”, krijohet data-baza e veçantë

Në një kohë që Shqipëria pret strehimin e afganëve të tjerë, 607 të ardhurit në vendin tonë i janë nënshtruar procesit të identifikimit dhe regjistrimit.

Pas mbërritjes së avionit të parë me 121 shtetas afganë mësohet se procesi i regjistrimit të gjeneraliteteve të tyre, marrja e shenjave të gishtërinjve si dhe fotografimi u bë në aeroportin e Rinasit e më pas ata u transferuan në një hotel në zonën e Golemit në Durrës.

Procesi i regjistrimit, i njohur ndryshe si “screening” vijon në postën e policisë në Qytetin Studenti, ku janë strehuar dhe pjesa më e madhe e afganëve të mbërritur në Shqipëri.

Burime pranë policisë thanë se të gjithë personat me kombësi afgane fillimisht janë regjistruar në Afganistan, ndërsa verifikimi i listave të tyre bëhet në policinë shqiptare, aty ku dhe regjistrohen.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se në vendin tonë mund të strehohen rreth 4 mijë afganë, ndërkohë që për pritjen e tyre është ngritur e gjithë infrastruktura e nevojshme.

Shqipëria iu bashkua menjëherë vendeve të gatshme për të strehuar qytetarët afganë që bashkëpunuan me forcat e NATO-s gjatë 20 viteve, qëkur amerikanët pushtuan Afganistanin.