Sport AFP: Ajaksi i Amsterdamit, ose historia e një mrekullie

AFP: Ajaksi i Amsterdamit, ose historia e një mrekullie

Pavarësisht kalimeve të shkretëtirës, “Ajaksi” rilind gjithnjë nga hiri i tij! Falë filozofisë së sulmuese, të trashëguar nga të lavdishmit e vjetër tek “fëmijët” e Johan Krojf, klubi mitik i Amsterdamit arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, një çerek shekulli nga fitorja e tij e fundit e këtij titulli.

“Mrekulli”, titullon e përditshmja “Algemeen Dagblad” që flet për një udhëtim magjik nëpër Europë. Fitorja e “Ajaksit” në Torino (2-1) ishte sot në mëngjes në faqe të parë të të gjitha gazetave të mëdha holandeze. Por edhe të gazetave kryesore sportive europiane, si e përditshmja portugeze “A Bola” që përshëndet “Bijtë e vegjël të Johan Krojf”.

Tre vite pas vdekjes së figurës së tij atërore, lojtar legjendar i viteve 1970 që u bë një trajner gjenial në fund të viteve 1980, më pas dishepull i rinovimit të strategjisë “futbolli total” në fund të viteve 2000, “Ajaksi” ka rigjetur shkëqlimin e humbur që prej vitit 1997 dhe epopesë së tij të fundit europiane që përfundoi në gjysmëfinale.

Viktimë e të famshmes rregullorja Bosman, që çrregulloi transferimin e lojtarëve dhe përshpejtoi largimin e talenteve nga akademia e saj, si dhe shpërthimi i të drejtave televizive në kampionatet e mëdha, klubi holandez arriti të pamundurën me një buxhet që vlerësohet në 100 milionë euro, pesë deri në shtatë herë më e ulët se sa kundërshtarët e tij.

“Kemi ndërtuar një klub, kemi një plan. Kemi një filozofi, një strukturë, po zhvillohemi. Pak e nga pak, ne përparojmë”, theksoi dje në mbrëmje trajneri i “Ajaksit”, Erik Ten Hag.