Sport Agjenti i Dybala: Negociuam me United, transferimi nuk dështoi për komisionet

Agjenti i Dybala: Negociuam me United, transferimi nuk dështoi për komisionet

Paulo Dybala do të ketë ditë të zeza nën drejtimin e Maurizio Sarrit tek Juventus. Sulmuesi argjentinas nuk preferohet nga trajneri italian dhe shumicën e ndeshjeve pritet ta kalojë në stol, teksa PSG dhe Inter e ndjekin me interes situatën e tij.

PSG ka ngecur në këtë tratativë, për shkak të kontratës që Dybala ka firmosur me një kompani, që menaxhon të drejtat e imazhit të tij. Janë milionë euro që duhet të paguhen që kjo kontratë të prishet, Juventus nuk e merr përsipër dhe klubet që interesohen për “La Joya” nuk kanë leverdi të paguajnë edhe këtë kosto.

Pas ndeshjes në Parma, për “Tuttosport” foli agjenti i 26-vjeçarit, Jorge Antun, i cili tha: “Destinacioni PSG? Jo, për momentin nuk kam ndonjë plan udhëtimi për në Paris. Dybala duhet të shijojë momentin e tij tek Juventus, ajo që do ndodhë në të ardhmen unë nuk e di. Negocimi me United? Po, unë kam biseduar me klubin anglez, por historia e komisioneve është e pavërtetë, ka patur mosmarrëveshje mes klubeve”.