Sport Agjenti i Hysajt shpërthen ndaj Napolit dhe Ancelottit: Nëse nuk luan…

Agjenti i Hysajt shpërthen ndaj Napolit dhe Ancelottit: Nëse nuk luan…

Mario Giuffredi, agjenti i Elseid Hysajt, ka shpërthyer. Në qendër të polemikave është e ardhmja e futbollistit shkodran, që duket se te Napoli tashmë është kthyer në një alternativë dhe jo më titullar, siç ndodhte përpara se Ancelottit të merrte vendin e Maurizio Sarrit.

Giuffredi, që pati mohuar këtë mundësi, tashmë nuk fshihet më. “Në verë, Hysaj mund të shkonte te Chelsea i Sarrit. Ancelotti i tha se e vlerësonte, por faktet tregojnë se në periudhën e fundit nuk është më i rëndësishëm për klubin. Nëse është bërë një rezervë, atëherë jemi gati të largohemi dhe të kërkojmë shitjen që në janar”.

“Nuk vëmë në diskutim zgjedhjet e Ancelottit, por Hysaj nuk e meriton këtë sjellje. Mund të jetë fazë e përkohshme, por duhet sqaruar kjo situatë. Mund të flitet hapur dhe publikisht. Flasim për një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në Europë, kjo gjë po e penalizon. Jemi gati të flasim, do të heq Hysajn nga aty nëse na thonë se është bërë rezervë”.

Sa i përket klauzolës, pret shkurt: “Nuk dua të flas për para, vetëm për çështjen e hapësirave”.