Sport Aguerro apo Messi? Pep Guardiola nuk ka dyshime se kush është më...

Aguerro apo Messi? Pep Guardiola nuk ka dyshime se kush është më i miri

Aftësitë fenomenale në shënimin e golave te Manchester City e bëjnë Sergio Aguero një nga më të mirët në futbollin botëror, por Pep Guardiola mendon se Lionel Messi qëndron mbi të gjithë. Aguero realizoi një “hat-trick” në fitoren 6-1 ndaj Aston Villa, të dielën, duke parakaluar Thierry Henry si lojtarin e huaj më “pjellor” në historinë e Premier League. Ky ishte tregolëshi i tij i 12-të në kampionatin anglez, çka përfaqëson një shenjë të re për argjentinasin, si më i miri në të gjitha kohërat, duke shënjestruar tashmë golashënuesin e rekordeve, Alan Shearer.

I pyetur nëse Aguero ishte më i miri, me të cilin ka punuar, trajneri i “qytetarëve”, Guardiola, u ndje i detyruar të nxirrte në pah aleancën e tij me gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”, Lionel Messi. Trajneri spanjoll ka punuar me Messin te Barcelona (2008-2012), gjatë një periudhe kur skuadra blaugrana ishte në kulmin e fuqive të saj, duke fituar katër tituj të La Liga-s, dy Champions, dy Kupa Mbreti, dy Superkupa të UEFA-s, dy Botërorë për Klubet dhe tri Superkupa Spanjolle.

“Më i miri është Messi, – buzëqeshi ai, para se ta shpjegonte përgjigjen nëse Aguero ishte sulmuesi më i mirë, që ka trajnuar në karrierën e tij. – Leo është më i miri si numër 9, 10, numër 11, numër 7, numër 6, numër 5, numri 4… Por, Sergio, midis pjesës tjetër, me siguri është njëri prej tyre. Unë e thashë shumë herë, ai do të vdesë duke shënuar gola. Ky është specialiteti i tij”.