Sport “Ai do një projekt fitues”; Suárez flet për të ardhmen e Messit

“Ai do një projekt fitues”; Suárez flet për të ardhmen e Messit

Luis Suárez është protagonist i kopertinave të mediave sportive në Barcelonë, këtë të mërkurë. Uruguaiani mund të festojë, pasi e ka tejkaluar Kubala si golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit dhe tani është vetëm pas César dhe Messi. Suárez paralajmëron se dëshiron të vazhdojë te Barça, ndërsa premton se do ta ndihmojë, do të bashkëpunojë në përshtatjen e Lautaro, nëse argjentinasi e përmbyll nënshkrimin me katalanasit. Po ashtu, ai siguroi se Griezmann ka mbështetjen e të gjithë grupit.

Mbi të gjitha, uruguaiani flet edhe për Messin: “Unë nuk e shoh Leon në asnjë ekip tjetër, përveç Barçës. Vendimi do të merret gjithmonë duke menduar për të dhe të mirën e tij. Ndonjëherë ndihemi të gjithë keq, sepse humbasim ndeshje të rëndësishme dhe ndoshta po heqim dorë nga titulli i La Liga-s. Ndonjëherë mendoni për ndonjë gjë, por duke qenë shoku e tij, unë gjithmonë i kam rekomanduar Messit të jetë aty ku ndjehet më mirë dhe i lumtur.

Pra, nëse është i lumtur te Barcelona, ​​të qëndrojë këtu. Nëse ka nevojë për ndonjë ndryshim, ai e di se çfarë i nevojitet. Gjithçka lidhet me mirëqenien e tij. Unë mendoj se familja është shumë e kënaqur në Barcelonë. Ajo që ai do të donte më shumë është një projekt fitues. Sidoqoftë, janë situata që ai duhet t’i trajtojë me familjen e tij, me babanë e tij në këtë rast, që e ka menaxher”.

Suarez mirëpret dyshen Lautaro-Neymar

Pas fjalëve të Leo Messi, tani është Luis Suarez ai që vlerëson cilësitë e sulmuesit të Interit, i cili prej kohësh qëndron në fokusin e klubit blaugrana.

“Lautaro është një lojtar i shkëlqyeshëm. Ai po luan në nivelin më të lartë te Interi. Nuk është e lehtë të shkosh në Itali nga Argjentina dhe të tregosh potencialin, në një futboll të komplikuar si ai italian”.

“Ai është i ri dhe nëse arrin te Barcelona do të përpiqemi ta ndihmojmë të përshtatet e të ndihet i qetë”, tha Luis Suarez gjatë një interviste për “Sport”.

Fjalë të rëndësishme ato të sulmuesit uruguaian, të cilat konfirmojnë sesi i gjithë mjedisi i Barcelonës beson në cilësitë e lojtarit të Interit.

Lautaro por jo vetëm, në mendimet e botës blaugrana ekziston gjithmonë ish-i Neymar: “Të gjithë lojtarët fantastikë janë gjithmonë të mirëpritur. Ai e di shumë mirë dashurinë e madhe që ka ekipi dhe tifozët drejt tij”, tha Suarez.

“Kthimi i tij? Situata aktuale në botë e bën atë të komplikuar, por në futboll nganjëherë ndodhin gjëra të jashtëzakonshme, asgjë nuk është e pamundur”, shtoi ai.