Shëndet Akademia Amerikane e Pediatërve: Nga 2 vjeç e lart, të gjithë me...

Akademia Amerikane e Pediatërve: Nga 2 vjeç e lart, të gjithë me maska

Të gjithë fëmijët që rikthehen në shkolla, kopshte dhe çerdhe, nga 2 vjeç e lart, duhet të mbajnë maska pavarësisht nëse kanë bërë apo jo vaksinën e koronavirusit.

Rekomandimi erdhi nga Akademia Amerikane e Pediatërve, një sugjerim shumë më i rreptë sa nga ai i nxjerrë nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve muajin e kaluar.

Megjithatë, rekomandimi nuk parashikohet të vihet në zbatim nga të gjithë shtetet. Sipas CNN, të paktën 9 prej tyre, Arkansas, Arizona, Xhorxhia, Ajoua, Oklahoma, Karolina e Jugut, Teksas, Jutah dhe Vermont, kanë miratuar ligje që i ndalojnë autoritet lokale të kërkojnë me detyrim mbajtjen e maskës nëpër shkolla. Lista e shkollave që nuk lejojnë detyrimin e mbajtjes së maskës ndryshon vazhdimisht, por deri tani kjo po ndodh në shtete ku Guvernatorët janë nga Partia Republikane.

Edhe pse rekomandimi është kritikuar, Dr Antohony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar Amerikan për Sëmundjet Alergjike dhe Infektive, thotë se ai është me vend, sidomos në zonat ku numri i rasteve me koronavirus po rritet ndjeshëm në javët e fundit.

Disa shtete, si Konektikat, Havai, Nju Meksiko, Nju Jork, Virxhinia dhe Uashingtoni kanë deklaruar se do të ndjekin rekomandimet e akademisë dhe do të vendosin me detyrim mbajtjen e maskës pavarësisht statusit të vaksinës te secili individ.

Ndërsa Kalifornia ia ka lënë këtë vendim në dorë autoriteteve lokale në vend që të marrë një vendim në nivel qendror.