Sport “Akoma keni dyshime? Do bëj ndonjë skandal nëse Benzema nuk e fiton...

“Akoma keni dyshime? Do bëj ndonjë skandal nëse Benzema nuk e fiton Topin e Artë”

Reali Madrid mposhti 2-0 (Alaba, Benzema) Eintrachtin e Frankfurtit në finalen e Superkupës së Europës që u zhvilluan në Helsinki. “Los Blancos” e nisën sezonin me trofe, ndërkohë që Karim Benzema vazhdon të shënojë dhe t’i afrohet fitimit të “Topit të Artë”.

Sulmuesi francez po përjeton një rini të dytë me rikthimin e Carlo Ancelottit në stol, teksa sezonin e fundit ishte vendimtar në fitimin e titullit, Champions League dhe Superkupës së Spanjës.

34-vjeçari është ngjitur në kuotën e 324 golave me Realin, duke parakaluar një legjendë si Raul. Mbi francezin qëndron vetëm Cristiano Ronaldo me 450 gola në total me 14 herë kampionët e Europës.

Fituesi i “Topit të Artë” do të zgjidhet në tetor, teksa nuk do të merren më në bazë statistikat dhe performancat gjatë një viti kalendarik, por çfarë ndodhi në sezonin 2021/2022.

“Benzema është një lojtar shumë i rëndësishëm, një lider. Ai ka shënuar shumë gola, e mbylli sezonin në mënyrë të shkëlqyer. Tani e pret Topi i Artë. Akoma keni dyshime për fituesin?

Mendoj se askush nuk e vë më në diskutim faktin që Benzema do e fitojë Topin e Artë”, deklaroi trajneri italian, teksa edhe dyshja Courtois-Casemiro mendojnë të njëjtën gjë.

“Karim është sulmuesi më i mirë në botë, ai do e fitojë Topin e Artë. Nëse nuk e fiton këtë vit, unë do të bëj diçka të keqe… Është shumë e rëndësishme ta kemi në ekip dhe jo kundër nesh”, u shpreh portieri belg.

Ndërkohë, mesfushori brazilian, i cili u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes ndaj Eintrachtit, deklaroi: “Nuk ka asnjë dyshim, Benzema do e fitojë Topin e Artë”.