Aktualitet Aksident i rëndë në aksin Librazhd-Prrenjas, ndërron jetë një grua, në gjendje...

Aksident i rëndë në aksin Librazhd-Prrenjas, ndërron jetë një grua, në gjendje të rëndë një tjetër person

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd, ku një autoveturë është përplasur me një kamion, për pasojë një grua ka humbur jetën, ndërsa një tjetër person ndodhet në gjendje të rëndë.

Në vendin e quajtur Pishkash në Njësinë Administrative Qukës rreth orës 00.10 janë përfshi në aksident një autoveturë dhe një kamion.

Burime nga vendngjarja konfirmuan se automjeti tip “Benz” me drejtues 34-vjeçarin shtetasin Zef Sinani është përplasur me kamionin me targë SK 3842 BO me drejtues një shtetas nga Maqedonia e Veriut.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një grua dhe ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë drejtuesi i autoveturës.

I plagosuri është transportuar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Ndërsa viktima është dërguar në morgun e Elbasanit.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë qarkullimi i automjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara një kthesë të fortë në Pishkash, ndërsa janë dokumentuar provat e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet që sollën aksidentin.